Napoli tregoi forcë karakteri, klas dhe personalitet në një nga transfertat më delikate, atë përballë Atalanta-s. Blutë e Spallettit siguruan një fitore të madhe 1-3 duke mbajtur të ndezur garën për titull, arrijnë të mbajnë Inter larg me 3 pikë ndërsa shton presionin mbi Milan.

Insigne dhe Politano realizuan në pjesën e parë ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, De Roon ngushtoi shifrat në 1-2. Bergamaskët morën një goditje të fortë teksa pak minuta më pas humbën shërbimet e Berat Gjimshtit, me mbrojtësin kuqezi që doli nga fusha pas një dëmtimi në shpatull.

“I ka dalë shpatulla, vështirë se do të jetë në fushë të enjten”, u shpreh Gasperini. Në fund, në minutën e 81-të, ishte Elmas që sigloi shifrat përfundimtare në 1-3.

Një fitore shumë të rëndësishme për objektivat evropian siguroi edhe Roma në transfertë duke mposhtur Sampdorian me rezultatin 0-1 fal një goli të shënuar nga Mkhitaryan në minutën e 27-të. Marash Kumbulla u aktivizua vetëm në minutën e 93-të, thjesht për të mbrojtur rezultatin.

Me këtë trepikësh, verdhekuqtë renditen në vendin e 5-të në kuotën e 54-të pikëve, 5 më pak se Juventus.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb