KLGJ vendosi të mos marrë në shqyrtim relacionin e Këshillit të Karrierës mbi verifikimin e mandatit të gjyqtares Irena Gjoka. Me shumicë votash anëtarët e KLGJ vlerësuan se shqyrtimi duhet të bëhet nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, për shkak se diskutimi mbi papërshtatshmërinë e gjyqtares ka lindur pasi ajo e ka marrë statusin e magjistrates.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se si fillim relacioni do të shqyrtohet nga ILD e më pas do vlerësojnë këta nëse duhet shkuar në KLGJ për të kërkuar ndërprerje të statusit.

Prokuroria e Përgjithshme ia përcolli materialet qeverisë së gjyqësorit, që duhet të vendosë nëse Irena Gjoka është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtare, për shkak se rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të drejtësisë greke të vitit 2005 për përdorim vize të falsifikuar.
Anëtarja e gjykatës së Posaçme u denoncua nga ish-kryeministri Sali Berisha për fshehjen e dënimit penal në Greqi dhe më vonë ai publikoi edhe dokumentin e gjykatës greke për Irena Gjokën. Denoncimet dhe akuzat në adresë të saj nisën pasi firmosi masat e sigurisë për kreun e PD-së për dosjen Partizani, ku Berisha është i pandehur për akuzën e korrupsionit kryer në bashkëpunim.

Sipas vendimit të gjykatës së Janinës, Gjoka ishte dënuar me muaj burg dhe 1500 euro gjobë, pasi kishte përdorur vizë të falsifikuar. SPAK ka çelur një hetim lidhur me rastin për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: