Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi të mos marrë në shqyrtim relacionin e Këshillit të Karrierës lidhur me verifikimin e mandatit të gjyqtares së posaçme Irena Gjoka. Sipas hetimit të thelluar të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjoka rezulton e dënuar në Greqi për përdorim vize të falsifikuar, një fakt që ajo nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Anëtari i KLGJ-së, Ridvan Hado, propozoi që shqyrtimi i kësaj çështjeje t’i kalonte Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke argumentuar se diskutimi mbi papërshtatshmërinë e gjyqtares ka lindur pasi ajo kishte marrë statusin e magjistrates. Ky propozim nuk u hodh në votim, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.
Çështja e gjyqtares së posaçme u përfshi si pikë diskutimi në rendin e ditës të mbledhjes së KLGJ-së në mungesë transparence dhe pa njoftim paraprak. Të premten, rreth një orë pasi mbledhja kishte nisur, Këshilli përditësoi rendin e ditës duke shtuar si çështje të re rastin e Irena Gjokës.
Sipas verifikimit të thelluar të Prokurorisë së Përgjithshme, gjyqtarja rezulton e dënuar me tre muaj burg dhe 1500 euro gjobë për përdorim vize të falsifikuar, dënim që më pas është konvertuar në gjobë.
Anëtarja e Gjykatës së Posaçme u denoncua nga ish-kryeministri Sali Berisha për fshehjen e këtij dënimi penal në Greqi. Më vonë, Berisha publikoi edhe dokumentin e gjykatës greke që, sipas tij, vërteton dënimin e Irena Gjokës. Denoncimet dhe akuzat ndaj saj nisën pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj kreut të Partisë Demokratike në dosjen “Partizani”, ku Berisha është i pandehur për korrupsion të kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, SPAK ka çelur një hetim penal për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit nga ana e gjyqtares Irena Gjoka.
