Këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, kanë reaguar në rrjetet sociale pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Dua Lipa ka publikuar në Instagram Story logon e UÇK-së, të shoqëruar me hashtagun “Liria Ka Emër”.
Në një tjetër postim, këngëtarja ka publikuar të dhëna lidhur me pasojat e luftës në Kosovë, duke përmendur rreth një milion refugjatë, 11 mijë të vrarë, 1 mijë e 24 fëmijë të vrarë, 20 mijë persona të dhunuar dhe 1 mijë e 600 të zhdukur.
Edhe Rita Ora ka reaguar në Instagram pas vendimit të Hagës. Ajo ka publikuar një fotografi të “Image of Kosovo”, ku shfaqet emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Duke luftuar për Kosovën që sot e quajmë shtëpi”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë së publikuar nga këngëtarja.
Reagimet e dy artisteve shqiptare vijnë pas aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, një vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
