Analisti Genc Burimi, në një intervistë në “News 24”, duke folur për dënimin me burg të ish-presidentit francez Nikolas Sarkozy, dekaroi se lajmi ka shokuar mediat në Francë.
“Lajmi ka krijuar valë shoku në media dhe më pak shokim në opinionin publik. Në qarqet mediatike është një tronditje e madhe. Situatën dua ta komentoj me reformën në drejtësi në Shqipëri. Në më pak se 5 vite, Franca ka gjykuar dhe dënuar ish-ministër, ish-kryeministër dhe ish-president të Republikës. Kur drejtësia do ajo vepron.
Në rastin e Sarkozy, mediat shprehen se dënimi ishte më fort se duhet, sepse kishte vetëm indicie për korrupsion. Sarkozy i ka premtuar një gjykatësi mik, një vend në Gjykatën e Monakos. Prandaj, ka valë shokimi në mediat franceze, sepse drejtësia dënoi rreptë pa prova materiale. Sarkozy ka shumë dosje, ka dosje “Gadafi”, ka shumë dosje. Dënimi është në gjykatën e parë. Edhe avokati është dënuar. Shumë thonë se është dënim politik”, tha Burimi.
Genc Burimi theksoi se Sarkozy që tani ka filluar që të sfidojë drejtësinë franceze.
“Sarkozy nuk do të shkojë në burg, pasi do ta apelojë vendimin. Ish-presidenti ka të drejtë që të apelojë. Sipas ligjit francez, Sarkozy ende nuk ka marrë dënim me burg. Ai vetë dhe klani i afërt janë shokuar, por popullata nuk ka ndonjë shokim. Sarkozy ka nisur të sfidojë drejtësinë. Ata thanë se në Francë, drejtësia po merr kot. Këta thonë se prokurori dënon në emër të popullit dhe ky është problem. Do dalim në debatin, nëse edhe prokurori të votohet nga populli. Dikur, njerëzit me pushtet nuk dënoheshin. Ndërsa, sot po dënohen politikanët. Klasa politike duhet të dridhet, ama nga drejtësi e paanshme. Nëse drejtësia na dënon pa prova, i bie që drejtësia të bëhet problem për demokracinë”, u shpreh Burimi.
Në fund, Burimi kishte edhe një mesazh për Shqipërinë, duke thënë se drejtësia në Shqipëri duhet të guxojë më shumë, pasi njerëzit duan “peshq të mëdhenj”.
“Drejtësia duhet që të veprojë në Shqipëri. Njerëzit duan peshq të mëdhenj. Ta hapë hetim për Edi Ramën, të japë mesazhin si të paprekshëm. Rama bëri ironi me gazetaren Erisa Zykën. Pse mos hapë drejtësia për Gjiknurin një procedim, por e bën edhe kryenegociator të Reformës Zgjedhore. Basha flet për drejtësi dhe ka gjetur gjithmonë justifikim për të mos hapur dosje si Gërdeci. I vetmi që është arrestuar ka qenë Fatos Nano, që atëherë asgjë. Ndërsa, rumunët, bullgarët, edhe në Maqedoninë e Veriut janë dënuar shumë politikanë. Drejtësia tallet me qytetarët”, përmbylli Burimi.
(d.xh/ balkanweb)
