Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj se po kërcënon prokurorin e SPAK, Ols Dado. Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, Berisha tha se Veliaj po lëshon edhe mesazhe mafioze dhe të koduara, sipas tij, ndaj dëshmitarëve të çështjes.

“Është mesazhi i kërcënimit me jetë të dëshmitarëve. Sepse kërcënimi i tij për Olsi Dadon është një kërcënim që për shkak të mbrojtjes që kanë këta prokurorë, ai shanset i ka zero që ta agresojë fizikisht. Por kërcënimi personal është për dëshmitarët, që po folët, do e keni personale me mua. Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shqyrton të gjitha modalitetet për ta paditur për aktin e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve. Nuk ka. Kodi i këtij mesazhi është kërcënimi i dëshmitarëve, të cilët kanë merita, duhet t’i pranojmë”, u shpreh Berisha.

Deri i opozitës i bëri thirrje Veliajt të mos ushtrojë presion dhe kërcënojë dëshmitarët, duke shtuar se ai do të vuajë pasojat.

“Çdo njeri që pranon të zbardhë një krim, ka merita të padiskutueshme. Ndaj dhe i them Erion Veliajt se me asgjë nuk mund të shpëtosh nga krimet dhe mos guxo të kërcënosh dëshmitarët se do përgjigjesh shumë rëndë”, tha kryedemokrati.

Pjesë nga deklarata

Sali Berisha: Së fundmi, dënoj me forcën më të madhe aktin kriminal, të dënueshëm, të Erion Vjedhësit, Erion Hajdutit, kërcënimin me personale të Olsi Dados. Tani unë e kam pak ndryshe problemin këtu. Sigurisht unë jam kundër çdo kërcënimi personal. Nuk mund të ketë kërcënime personale, se pastaj është vetëgjyqësi. Por mesazhi që jep ky hajdut, që ka hyrë në analet botërore si një nga hajdutët më të këqij në Europë, dhe e shoqja e tij si Lajla Asadi me garderobë 1 milionë, është mesazhi i kërcënimit me jetë të dëshmitarëve.

Sepse kërcënimi i tij për Olsi Dadon është një kërcënim që për shkak të mbrojtjes që kanë këta prokurorë, ai shanset i ka zero që ta agresojë fizikisht.
Por kërcënimi personal është për dëshmitarët, që po folët, do e keni personale me mua.

Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shqyrton të gjitha modalitetet për ta paditur për aktin e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve. Nuk ka. Kodi i këtij mesazhi është kërcënimi i dëshmitarëve, të cilët kanë merita, duhet t’i pranojmë.

Çdo njeri që pranon të zbardhë një krim, ka merita të padiskutueshme. Ndaj dhe i them Erion Veliajt se me asgjë nuk mund të shpëtosh nga krimet dhe mos guxo të kërcënosh dëshmitarët se do përgjigjesh shumë rëndë.

Po të jetë puna për ata skapistë, ata të kursyen ty djegësin 130 milionë euro, që nuk ekziston kund. 5D-në që vetëm hoteli i qeltë kushton 75 milionë euro gjer tani, 20 e ca katesh, hoteli më gjigant në Shqipëri. Ndaj dënoj këtë akt, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e Edi Ramës, i cili më falni për shprehjen, nuk po e përdor atë fjalën që duhet të përdor, por nga mëngjesi gjer në darkë nuk i pushon goja dhe nuk gjeti tre fjalë për të dënuar këtë akt. Çka lë të nënkuptohet se janë në sintoni me njëri-tjetrin.

Sali Berisha: Së pari, cilido që ka keqpërdoruar paratë publike, është në opozitë apo në pushtet, duhet të marrë ndëshkim ligjor. Por siç e shihni ju, në rastin e Sali Berishës nuk është gjetur qoftë edhe një qindarkë publike nga ai dhe famijarët e tij. Të gjithë narrativën e bazuan në një shpifje, një trillim se ajo ishte tokë publike. Por dokumente zyrtare të atyre viteve kur këta thonin se është tokë publike, faktuan se ajo nuk ishte tokë publike. Ajo kishte qenë tokë e privatëve dhe ajo tokë nuk ishte shpronësuar kurrë. Dhe ajo tokë ishte konfiskuar nga diktatura komuniste. Atëherë, në qoftë se ndërton akuza mbi falsitetin, mbi fshehjen e dokumenteve, mbi manipulimin e dokumenteve, atëherë ti ke ndërtuar një piramidë mashtrimi politike për të cilën do ndëshkohesh. Për këtë të mos kemi iluzion. Do ndëshkohesh me ligj. Se ka ligj. Urdhëro, e bënë në Amerikë, u shkarkuan që të gjithë se kishin bërë akte politike. Amerika mund të ketë 10 mijë prokurorë, u shkarkuan ata që kanë bërë akte të turpshme politike.

Pra, transformimi i Skapit në prokurori politike është vepër e Edi Ramës. Nëpërmjet veglës së tij, Altin Dumani, një njeri i papërgjegjshëm, i pandërgjegjshëm, një beniamin i Arben Rakipit dhe Ulsi Manjës, kush nuk e bënte këtë. Ata harruan se po bënin gjithçka për të minuar pluralizmin politik. Po atë nuk e minoi dot Antony Blinken, jo ta minojë dot Altin Dumani. Kanë kryer krim monstruoz, por unë nuk i them askujt që do e kesh personale, jo, do e kesh ligjore. Ligjore do e ketë ai pa asnjë diskutim. Ligjore do e ketë Edi Rama. Ligjore do e ketë Ulsi Manja.

Ligjore do e ketë Arben Rakipi pasi të zbërthehen të gjitha ndërhyrjet. Sepse kjo është e gjitha. Arben Rakipi, a u kujtohet ju kur në vitin 1998, ky ish bashkëpunëtor i shpërfytyruar i Sigurimit të Shtetit, u ul para gazetarëve dhe tha Sali Berisha ka kryer krime kundër njerëzimit. Çfarë krimesh? Ka helmuar qytetarët e Vlorës me helme ushtarake. Po ku i ke provat? Kishte marrë një shishe Pepsi Kola. Dhe një gazetar e pa, i tha kjo është Pepsi Kola, çfarë helmi është ky?

Ky është Dumani, është një replikë e këtij mafiozi që drejton Shkollën e Magjistraturës dhe bën avokati, pret gjoba në anën tjetër.

Pra, nuk mund të ketë asnjë lloj krahasimi. Po nuk ndodh në histori, unë nuk kam dëgjuar kurrë që të investohen 130 milionë euro për një vepër dhe vepra të mos ekzistojë. Dhe për këtë të jenë përgjegjës drejtorët që ka firmosë tenderin. Si ka mundësi? Po drejtorët janë më të parëndësishmit aty, aty përgjegjës është Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Dhe për këtë të jetë përgjegjës Arben Ahmetaj që e ka kundërshtuar 4 herë dhe jo Erion Veliaj që ka insistuar 4 herë.

Pastaj të themi atë që është, ajo, fakti i dhënies së tenderave nga BYL-a tek Ajola, nga Zhizhi tek Ajola, nga Eventi tek Ajola, nga Lal Vjedhësi tek Ajola, këto janë të dokumentuara.

Tani nxjerrin si provë që nuk është ashtu, dëftesën e Olsi Dados dhe thonë se ky është mbetës në matematikë dhe nuk di të bëjë llogari. Po mirë, ta zëmë se është mbetës në matematikë, po llogaritë i bëjnë OPGJ-të, nuk merret prokurori me llogaritë, ai sheh ligjet. Ka ekonomistë, ka kontabilistë aty.

Pra, gjeti si argument për t’u mbrojtur kryehajduti i Tiranës një, sharjet dhe dy, i paska notat e dobëta në matematikë. Dhe meqenëse ky qenka i dobët në matematikë, gardëroba e Velicës nuk kushton 870 mijë euro, por kushton sa thotë ajo, 70 mijë. Po ato janë fatura doganash. Kush të dojë të vijë t’i marrë t’i shohë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb