Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë, duke deklaruar se dy kartele kriminale, ai i Sinaloas dhe organizata “Hakmarrja për Drejtësi”, janë shpërblyer me leje ndërtimi për projekte luksoze në jug të vendit, në këmbim të mbështetjes politike dhe financiare në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Berishës, në Palasë, Himarë, është miratuar një leje ndërtimi për një kompleks rezidencial dhe hoteleri me 1-5 kate mbi tokë dhe 1-3 kate nën tokë, dhënë kompanisë “Valona Konstruksion”. Ai pretendon se pas kësaj kompanie qëndrojnë vëllezërit Lulaj dhe Hysa, të cilët ai i lidh me kartelin famëkeq të Sinaloas në Meksikë.
“Edi Rama i ka pritur në zyrë dhe u ka dhënë licenca për hotele me 5 yje dhe kazino”, deklaroi Berisha, duke shtuar se personat e përfshirë janë aksionerë në disa kompani ndërtimi.
Më tej, Berisha denoncoi një tjetër leje ndërtimi në Vlorë, për një “godinë banimi dhe shërbime”, të dhënë për shoqëritë “Blue Horizont 2005” dhe “Feniks Konstruksion”. Sipas tij, kjo e fundit është në pronësi të familjes Shyti, e lidhur me organizatën “Hakmarrja për Drejtësi” dhe konkretisht me Roland Shytin, i dënuar më parë për 17 vepra penale, përfshirë vrasje dhe rrëmbim.
Berisha theksoi se kompania “Feniks Konstruksion” është regjistruar në emër të djalit të Roland Shytit, me të dhëna të falsifikuara për të shmangur ligjin. Po ashtu, ai akuzoi edhe kompaninë “Blue Horizont”, që sipas tij menaxhohet nga një sanitare, Liljana Selimi, por që fshihet pas lidhjeve me ish-zyrtarë të njohur dhe figura politike.
Në vijim të akuzave, Berisha përmendi edhe përfitime të tjera, përfshirë pikën e grumbullimit “Agrocon” në Lushnje, që sipas tij është marrë nga familja Shyti dhe më pas shitur për një çmim simbolik.
“Bashkëpunimi i qeverisë me këto struktura mafioze ka kthyer ndërtimin në Shqipëri në lavatriçen më të madhe të parave të pista”, tha Berisha, duke paralajmëruar se opozita do ta çojë këtë çështje në të gjitha forumet ndërkombëtare.
Berisha: Tjetër, vëllezërit Lulaj. Vëllezërit Sinaloa. Janë vëllezërit Hysa pas vëllezërve Lulaj. Leje Ndërtimi për objektin: ‘Kompleks rezidencial dhe hoteleri me 1-5 kat mbi tokë dhe 1-3 kat nën tokë’, me vendndodhje në Palasë, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Valona Konstruksion’ sh.p.k. Besnik Lulaj është përfaqësuesi i Luftar Hysës dhe vëllait të tij që sot kryesojnë kartelin Sinaloa të Meksikës, kartelin më të fuqishëm në botë, të cilët Edi Rama i priti në zyrë dhe u dha licencë për hotel me 5 yje dhe kazino.
Si anëtarë të këshillit mbikëqyrës së kompanisë Entertaiment rezultojnë Besnik Lulaj, aksioneri kryesor, Jetmir Shabani, pa të dhëna dhe Mihal Denaj, shofer ekskavatori tek Valona Construktion. Veç Valona Konstruktion, Lulaj është ortak ose aksioner kryesor dhe në 6 kompani të tjera. Lulaj dikur ka qenë në PD, por pasi mori këtë rrugë, u përqafua me Edi Ramën. Që ta dinë shqiptarët. Vazhdojmë. Pra, siç e shihni tani vjen karteli tjetër, karteli i cili ka në dosje para të gjithë këtyre aktiviteteve, 28 vrasje, grabitje dhe thyerje bankash. Karteli i organizatës terroriste ‘Hakmarrja për Drejtësi’. Tani ja ç’bën Edi Rama se thuhet që këtu janë paratë e Olsi Ramës.
Leje ndërtimi për objektin: ‘Godinë banimi dhe shërbime’, me vendndodhje pranë Rrugës së Unazës, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqëritë ‘Blue Horizont 2005’ sh.p.k dhe ‘Feniks Konstruksion’ sh.p.k.
Feniks Konstruktion është kompania ne pronësi të Jaho Shytit dhje Ilir Shytit, djemtë e Roland Shytit, pjesëtar i ‘Hakmarrjes për drejtësi’. Roland Shyti ose ‘Mustaqekuqi’ është i njohur për aktivitetin e tij kriminal. Në vitin 2008, pas 12 vitesh hetime, u dënua me 25 vite burg pasi u shpall i fajshëm për 17 akuza që nga organizatë terroriste, vrasje, grabitje, rrëmbim, etj. Deri në vitin 2013 mendohet se Roland Shyti ka jetuar jashtë vendit, pasi vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë. Por pas ardhjes së Edi Ramës në pushtetit ai kthehet në Shqipëri. Shyti është përfolur dhe për lidhjet e tij direkte me Saimir Tahirin.
Roland Shyti hap kompaninë Feniks Konstruktion në emër të djalit të tij Jaho Shyti. Por duket se statusi i tij si person i dënuar nuk e lejonte të ishte person juridik, dhe kështu e regjistron në emër të djalit të tij, Jaho Shyti në atë kohë 18 vjeç, por me datëlindje të falsifikuar. Themeluesi pra Jaho Shyti që është i datëlindjes 29.02.1996 në aktin e themelimit të kompanisë rezulton i datëlindjes 29.02.1969. Vetëm ky fakt do të bënte që ai të skualifikohej nga të gjitha vendimet qeveritare.
Ndërsa kompania ‘Blue Horizont’ drejtohet nga një individ i panjohur me emrin Liljana Selimi. Nga hulumtimet tona në lidhje me këtë individ na rezulton se punon si sanitare në kompaninë HYDROSOLAR ENERGY (HSE)e cila ka vetëm dy punëtore, Liljana Selimi në pozicionin e sanitares, dhe Adriatik Kapllanaj, vëllanë e Agron Kapllanajt- i kuptoni ju tani, mentorit të Alibeut, të Enkeledit, shikoni lidhjet me ‘Hakmarrjen për Drejtësi’ ja ku dalin, si administrator dhe pronar i kompanisë. Një shkrirjë mafioze kriminale e paimagjinueshme.
Tjetër. Vëllezërit Shyti Rezultojnë pronarë edhe të pikës më të madhe të grumbullimit në Lushnje të quajtur Agrocon. Kjo kompani e krijuar në dhjetor të vitit 2013 nga shtetasi me emrin Klad Flaga, u shit në vitin 2016 për vlerën e 100 mijë lekëve. Vetëm një vit më pas shoqëria merr statusin e investitorit strategjik me afat 1-vjeçar, për të ndërtuar në një sipërfaqe prej 3000 m2 zhvillimin e objektit ‘magazinim, grumbullim, paketim perimesh të prodhuara nga aktiviteti’.
(BalkanWeb)
