Nga: SPARTAK KOKA*

TIRANË- 29 vjeçari Ilir Kupa që prej 13 muajsh ndodhet në ambientet e paraburgimit të I.E.V.P 302 në Tiranë denoncon dhunën fizike të ushtruar ndaj tij. Me anë të një letre Kupa sqaron se është dhunuar barbarisht nga tre punonjës të policisë së burgjeve.

“Ditën e hënë me datë 02-03-2015 në orën 9 të mëngjesit kur po dilja në ajrosje përshëndeta si çdo ditë një bashkëvuajtësin tim dhe pa asnjë arsye një punonjës policie i burgut, i grupit të gatshëm më shtyu me forcë dhe unë mbeta i habitur dhe i thashë mos më luaj me dorë. Në momentin që unë u ktheva për të hyrë në boksin tim, tek ajrosja ky polic, më goditi pa mendjen time në fytyrë duke më shkaktuar plagë serioze dhe duke më larë në gjak. Më prangosën dy policë të tjerë, më zvarriten për tokë, më futën në izolim.
I pyeta përse po më dhunonin dhe ata më thanë se ti je ai babagjyshi grabitës, njëri më godiste në fytyrë, tjetri më fuste duart në fyt, kurse i treti më mbante ndërkohë që unë isha i prangosur. Më kanë goditur mbi 20 herë me grushte në fytyrë dhe jam me plagë serioze në fytyrë,me shenja të nxira në fytyrë dhe në fyt”, sqaron ai në letër.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/03/Rasti-I.Kupa1_.docx” viewer=”microsoft”]

Ilir Kupa paralajmëron se situata mund të ripërsëritet sërish në burg.

“Po të mos më shqetësonin më do ta lija me kaq, por jam i sigurt që do të kemi të tjera ngjarje dhe provokime nga më të ndryshmet dhe nuk dua të bëj ndonjë gabim që do të pendohem më vonë dhe do më mbeten fëmijët rrugëve. Një pjesë e dhunës ndaj meje është e filmuar nga kamerat e burgut në të cilin ndodhem, kjo është një padrejtësi që nuk e meriton as një njeri, sidomos një i burgosur që çfarë do të ketë bërë po e paguan me lirinë dhe jetën e tij”, shton më tej Kupa.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila nëpërmjet një deklarate sqaron se: “I burgosuri ka thyer rregulloren me veprimet e tij në orarin e ajrimit, nuk i është përgjigjur kërkesës së oficerëve që kanë ndërhyrë për ta larguar nga mjedisi ku ndodhej, si dhe i ka fyer ata gjatë ushtrimit të detyrës. E gjithë ngjarja është pasqyruar në librat e regjimit të brendshëm dhe në zyrën e informacionit të I.E.V.P “Mine Peza”. Gjithashtu, janë verifikuar edhe kamerat e sigurisë së institucionit. Si përfundim, nga verifikimet e grupit të inspektimit rezulton se mbi të burgosurin Ilir Kupa nuk është ushtruar dhunë, por vetëm janë përdorur mjetet e kufizimit fizik”.

Për rastin ka nisur një hetim administrativ dhe institucioni i Avokatit të Popullit.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: