Konflikti për çështjen e pronësisë në zonën e Rrjollit ka përshkallëzuar në dhunë fizike, duke lënë dy persona të plagosur dhe të shtruar në spital.
Pronari i tokës, Fatmir Shpellzaj, ka reaguar publikisht përmes një deklarate, ku pretendon se djali i tij dhe një mik i tij janë sulmuar brutalisht nga një grup personash, ndërsa sipas tij janë bërë edhe kërcënime ndaj avokates që e përfaqëson në këtë çështje.
Sipas Shpellzajt, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në ambientet e një televizioni ku ai ndodhej dhe ku kishte shkuar për të mbrojtur versionin e tij mbi konfliktin e pronësisë në Rrjoll. Ai pretendon se personat me të cilët është në konflikt prej kohësh kanë ndërtuar një histori të rreme mbi pronësinë e tokës dhe, sipas tij, nuk disponojnë dokumente që të vërtetojnë pretendimet e tyre.
Në reagimin e tij, Shpellzaj shprehet se djali i tij kishte shkuar vetëm për ta shoqëruar në studio, por është sulmuar fizikisht së bashku me një shok të tij nga një grup personash. Ai pretendon se të dy të rinjtë kanë pësuar fraktura dhe janë dhunuar rëndë, duke përfunduar fillimisht në Spitalin “Nënë Tereza” dhe më pas janë transferuar për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës.
Shpellzaj shton gjithashtu se avokatja e tij ka marrë telefonata kërcënuese pas ngjarjes, të cilat i konsideron serioze dhe shqetësuese.
Ai i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar incidentin dhe për të vendosur drejtësi, duke theksuar se askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta.
Reagimi i plotë:
Sapo dola nga Spitali i Traumës, ku për orë të tëra kam qëndruar pranë tim biri, i cili u masakrua brutalisht nga një tufë njerëzish që në vend të dokumenteve, kanë në dorë vetëm dhunën.
Ata që kanë dhunuar varret e familjes sime, dje dhunuan edhe djalin tim dhe kjo nuk është më një çështje prone.
Ngjarja ndodhi dje pasi zgjodha të shkoj për të mbrojtur të vërtetën time në emisionin Opinion përballë disa personave që prej kohësh kanë ngritur një histori të rreme mbi Rrjollin, duke manipuluar ndjeshmërinë e njerëzve dhe duke u paraqitur si pronarë apo trashëgimtarë të një toke për të cilën nuk kanë asnjë dokument.
Gjithmonë e kam ditur me kë kam të bëj dhe kam qenë i përgatitur për më të keqen, por ata po kalojnë çdo kufij ligjor, moral dhe njerëzor.
Në ambientet e televizionit Klan, ku unë isha për të mbrojtur të vërtetën time, ata sulmuan barbarisht djalin tim, i cili kishte ardhur vetëm për të më shoqëruar.
Gjithashtu, sulmuan fizkisht shokun e tij duke i shkaktuar fraktura të rënda të dyve.
Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, deri sa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes, aq sa pas Spitalit Nënë Tereza na u desh të kalojmë për mjekim më të specializuar tek Trauma.
Gjithashtu, këta persona, kanë kanosur avokaten time, zonjën e nderuar mbrojtëse e cila dje ka marrë telefonata kërcenuese nga më të rëndat.
I bëj thirrje urgjente Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të reagojnë menjëherë dhe të vendosin drejtësinë për këtë akt barbar, sepse askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta.
U kërkoj ndjesë qytetarëve për këtë situatë të rëndë që po krijohet rreth kësaj çështjeje.
Gjithashtu i kërkoj ndjesë kompanisë Gener 2, e cila iu afrua kësaj zone me një vizion zhvillimi dhe që sot po detyrohet të përballet me akte primitive që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë.
Të dashur shqiptarë, unë kam vetëm një armë: Dokumentet dhe të vërtetën.
