NënKryetari i Këshillit Bashkiak, Dorjan Teliti, ka denoncuar projektet e betonizimit që kërcënojnë hapësirat publike dhe identitetin e qytetit të Tiranës. Ai ka theksuar se Pallati “Asllan Rusi” është objektivi i radhës i oligarkëve të ndërtimit, të cilët, të lidhur ngushtë me pushtetin, po e kthejnë kryeqytetin në një xhungël betoni.

Teliti ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj vendimeve të tilla, duke i cilësuar ato si “një përpjekje për të pasuruar disa individë, ndërkohë që qytetarët humbin hapësirat e tyre dhe trashëgiminë kulturore”.

Ai ka bërë thirrje për një reagim të shpejtë nga Këshillin Bashkiak, duke kërkuar që “të merren vendime të qarta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe kundër betonizimit të mëtejshëm”.

Postimi i plotë:

Pallati Asllan Rusi është objektivi i radhës i oligarkëve të pangopur të ndërtimit, të cilët, të lidhur ngushtë me pushtetin, po e kthejnë kryeqytetin tonë në një xhungël betoni.

Pas vendimit për betonizimin “rijetësues” së stadiumit Selman Stërmasit, kjo është një tjetër provë e qartë e lakmisë për disa qindra milionë euro më shumë.

“Rijetëzimi” është vetëm një justifikim për të fshehur grabitjen e hapur të hapësirave publike dhe shkatërrimin e identitetit tonë.

Këta “ustallarë” të veshur me kostume firmato nuk kanë asnjë interes për Tiranën, por vetëm për xhepat e tyre dhe si e si ti mbushin më shumë ato.

Ne nuk duhet ta lejojmë këtë gjë.

Këshilli Bashkiak i kapur peng, duhet të zgjohet nga gjumi dhe të marrë një vendim të prerë të enjten e javës që vjen në mbledhjen e tij: JO betonizimit, PO mbrojtjes së historisë dhe interesave të qytetarëve!

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb