Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarit të News24, Osman Stafa për sulmin e koordinuar dhe gjobat selektive që janë vendosur ndaj grupit mediatik “Focus Media News” dhe bizneseve të “Hysenbelliu Group”.
Por Ilir Binaj, drejtori i Tatimeve, i cili është denoncuar nga emisioni Vetting për konflikt interesi është shprehur se kontrollet vijnë si pasojë e sistemit të analizës së riskut. Këtij versioni i ka mëshuar edhe ministri i Financave, Petrit Malaj i cili ka shkuar më tej, teksa i ka qarë hallet gazetarëve për vonesat në paga apo për mungesën e sigurimeve shoqërore.
Por alibia e gjetur nga dy zyrtarët të financave të akuzuar si të lidhur me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, rrëzohet nga një denoncim i bërë nga brenda Tatimeve.
E-maili është dërguar si denoncim kreut te Grupit te PD-se, Gazment Bardhi dhe nuk është publikuar me pare ne media. Ky denoncim rrodhi nga hakërrimi i sistemeve te Parlamentit te Shqipërisë dhe e-maileve personale te deputetëve, ndërkohe që zbulon fakte tronditëse për mënyrën se si funksionojnë Tatimet.
DENONCIMI QE RREZON PROPAGANDEN
Denoncimi zbulon se si dirigjohen kontrollet ndaj bizneseve apo në të shumtën e rasteve shkeljet janë të paracaktuara dhe inspektorët duhet të vënë gjoba edhe kundër dëshirës së tyre, në të kundër përfundojnë në rrugë të madhe.

“Po ju drejtohem në cilësinë e një punonjësi të Administratës Tatimore, aktualisht inspektor, për t’ju vënë në dijeni mbi një situatë tejet shqetësuese që prej disa muajsh po ushtron presion të jashtëzakonshëm mbi trupën e inspektorëve të Hetimit Tatimor. Prej disa muajsh, ndaj nesh po ushtrohet presion i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë nga Drejtori i Drejtorisë së Hetimit Tatimor, i emëruar si i dërguar politik. Ky drejtues na urdhëron të kryejmë kontrolle në subjekte të caktuara, duke na parapërcaktuar “problematikat” që duhet të konstatojmë, edhe në raste kur gjatë kontrollit nuk rezulton asnjë shkelje reale”, thekson denoncimi i zbuluar nga hakërrimi i sistemit të e-maileve të parlamentit.
Por për t’u justifikuar para kamerave, drejtori i Tatimeve tha se kontrollet behën në përputhje me ligjin. “Procesi i kontrolleve bazohet në një analizë risku, që përfshin kriteret si mospagesa e sigurimeve apo burimi i financimit të dyshimta apo paga të ulëta. Pra në punën tonë ne gjithmonë ndjekim ligjin dhe çdo kontroll që del ka një proces të qartë të riskut dhe tatimpaguesit që kanë kritere të thyera më shumë se tre dalin për kontrolle dhe rutina e kontrolleve është normale” tha sot drejtori i Tatimeve.
News24, Balkanweb dhe Gazeta Panorama kanë denoncuar gjobat selektive dhe kontrollet e vazhdueshme Tatimore.
“Në një grup të madh si Hysenbelliu, patjetër, duke qenë se janë disa kompani, duket sikur po kontrollohet vazhdimisht, por kjo nuk është e vërtetë, sepse kontrollet dalin kohë pas kohe dhe nuk ka asnjë thyerje në këtë kuptim, në kuptimin e procedurave tatimore që ndjek administrata tatimore”- ka thënë Binaj.
Por denoncimi nga brenda Institucionit te Tatimeve thekson se : “Në raste konkrete, kur subjektet nuk paraqesin shkelje, por është vendosur paraprakisht që duhet të rezultojnë problematike, ndaj nesh ushtrohet presion i fortë për t’i nxjerrë me çdo kusht në shkelje. Na është bërë e qartë se moszbatimi i këtyre udhëzimeve do të shoqërohet me pasoja personale dhe profesionale”.
DENONCIMI DHE SIGURIA
Inspektori i Tatimeve denoncon dhe procedurën e konfiskimit të kompjuterëve apo pajisjeve teknologjike të bizneseve, por që sipas e-mailit këto të dhëna përfundojnë nëpër USB personale të drejtuesve të Tatimeve apo me keq tek palët e treta. Materialet sensitive te bizneseve shpërndahen në mënyrë të paligjshme në WhatsApp apo rrjete te tjera.
“Një praktikë jashtëzakonisht shqetësuese që po aplikohet është marrja e kompjuterëve të subjekteve dhe shkarkimi i të dhënave të tyre në USB personale të drejtuesve apo personave të tretë. Ne, si inspektorë, nuk kemi asnjë kontroll, asnjë protokoll të qartë dhe asnjë transparencë mbi mënyrën se si këto të dhëna ruhen, përdoren apo shpërndahen më pas. Kjo përbën rrezik serioz për sigurinë e të dhënave dhe shkelje të hapur të legjislacionit në fuqi.
Situata rëndohet edhe më tej nga fakti se jemi ne inspektorët që firmosim procesverbalet e marrjes së pajisjeve, duke u ekspozuar drejtpërdrejt ligjërisht, ndërkohë që nuk kemi asnjë garanci se të dhënat nuk shpërndahen në mënyrë të paligjshme, përfshirë në grupe komunikimi (p.sh. WhatsApp) apo përdoren për presion ndaj subjekteve, për qëllime politike, elektorale apo përfitime të tjera”, thuhet në denoncimin e zbuluar në emailet e kreut të Grupit të PD.

Më tej theksohet se: “Një tjetër problem shumë serioz është se në shumë raste marrja e kompjuterëve dhe e të dhënave kryhet pa u firmosur procesverbali nga administratori i subjektit, madje edhe pa u vënë në dijeni ky i fundit. Ky veprim e bën procedurën absolutisht nul, krijon hapësira për pushim të çështjeve në apelimin tatimor dhe, më e rënda, na ekspozon ne inspektorët ndaj ndjekjes penale, pasi firmosim procesverbale me urdhër të prerë nga drejtuesit”.
Por sot në konferencën për mediat, Petrit Malaj, ministri i Financave “lau duart” teksa tha se kontrollet janë të Tatimeve dhe se shqetësimet ti drejtohen strukturave përkatëse duke bërë ankimim.
“Sa i takon çështjeve të raporteve specifike të kontrollit, ministri i Financave nuk shikon raportet e kontrollit. Ato vlerësohen nga administrata tatimore dhe kur ka raste kur subjektet po shikojnë se po i shkelen të drejtat janë të gjithë strukturat e nevojshme ku ju mund të bëni ankimimet përkatëse”, tha Petrit Malaj.
TATIMORET “MISH PER TOP”
Në denoncimin e zbuluar nga thyerja e e-maileve personale të kreut të Grupit të PD-së, theksohet se tatimoret janë kthyer në mish për top dhe se ndodhën nën kërcënim të vazhdueshëm nga drejtuesit e Tatimeve.
“Duke marrë shkas edhe nga lajmet publike që lidhin këtë drejtues me çështje të hetuara nga SPAK dhe me shpërndarje të të dhënave sensitive në rrjete të mbyllura komunikimi, frika jonë është shtuar ndjeshëm.

Në këto kushte, ne inspektorët jemi kthyer realisht në “mish për top”: nga njëra anë presioni dhe kërcënimi nga drejtuesit, nga ana tjetër përballja me subjektet që na ndalojnë dhe na kërkojnë llogari për veprime që nuk janë vullneti ynë. Jemi të vendosur mes dy zjarreve. Po ju drejtohem juve me shpresën që ky shqetësim të bëhet publik dhe të trajtohet seriozisht, pasi vetëm ekspozimi publik mund të na mbrojë nga hakmarrja dhe abuzimi me pushtetin.
Më vjen shumë keq që nuk mund të vendos emër dhe mbiemër në këtë letër, por jam i bindur se e mirëkuptoni frikën reale nga reagimi i drejtuesve të Hetimit Tatimor apo nga nivele edhe më të larta politike”, thekson e-maili i denoncimit që rrëzon propagandën e Tatimeve.
Gazetari Osman Stafa e ka pyetur sot Ministrin e Financave pikërisht për këto denoncime të Tatimoreve dhe presionin që po ushtrohen ndaj tyre, ndërkohë që ka përmendur dhe rastin e drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala, e cila është denoncuar nga emisioni Vetting për fshehje pasurie dhe për përfitime të paligjshme.
Por Petrit Malaj i Financave, i cili ka qenë dhe shefi i Erilinda Lalës dhe kjo e fundit këshilltarja e tij, i ka dalë në mbrojtje kësaj të fundit, duke sulmuar mediat dhe gazetarët.
Pyetje përgjigjet ne konferncën per shtyp
“Osman Stafa: Ka raportime se inspektorë me eksperiencë të gjatë në administratën tatimore refuzojnë të nënshkruajnë gjoba, ndërsa vendimet finalizohen me urdhër nga drejtues pa eksperiencë. A jeni ju në dijeni të këtyre praktikave dhe në rastet kur këto gjoba rezultojnë të padrejta dhe rrëzohen nga gjykata kush mban përgjegjësi për dëmin që i është shkaktuar biznesit?
Do të ketë ndonjëherë përgjegjësi personale për vendimmarrësit që shkaktojnë dëme financiare përmes vendimeve të gabuara. I referohemi rastit të zonjës Erilinda Lala, e cila për shkak se emisioni “Vetting” në News24 ka publikuar dokumente se ka dyshime të arsyeshme se ka kryer evazion fiskal, fshehje të pasurisë dhe përfitime të paligjshme nga ajo dhe familjarëve të saj ka nisur një valë hakmarrjesh me gjoba ndaj bizneseve të lidhura me median?”
Petrit Malaj, Ministër i Financave: Besoj se drejtori i Tatimeve ua shpjegoj procesin sesi përcaktohen subjektet që janë objekt kontrolli dhe kjo bëhet në bazë analize dhe vlerësimi të riskut. Unë për ju do shqetësohesha për faktin nëse po ju paguhen apo jo sigurimet shoqërore, sepse do vini në një pikë që nuk do jeni në gjendje të merrni pensionin dinjitoz që ju takon. Do jeni po prap ju që pas X vitesh do vini dhe do kërkoni llogari nga Ministria e Financave apo administrata tatimore për faktin që kjo administratë nuk ka marrë masat e nevojshme për të shtrënguar subjekte të caktuara që nuk paguajnë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Sa i takon çështjeve të raporteve specifike të kontrollit, ministri i Financave nuk shikon raportet e kontrollit. Ato vlerësohen nga administrata tatimore dhe kur ka raste kur subjektet po shikojnë se po i shkelen të drejtat janë të gjithë strukturat e nevojshme ku ju mund të bëni ankimimet përkatëse.
Osman Stafa: Pyetja ime ishte për të dhënat që emisioni Vetting ka gjetur në raport me një titullare, një vartësen tuaj. Me dokumente dhe fakte për fshehje të pasurisë dhe evazion fiskal. Meqë mua si gazetar “më qani hallin”, unë mund ta them si gazetar i New24 që prej vitit 2019 nuk kam pasur problem me pagën dhe sigurimet e mia dhe e gjitha ka nisur pas shembjes të një prej bizneseve të kompanisë dhe më tej. Përballë lirisë dhe të jem një gazetar i varur unë kam zgjedhur të parën.
Osman Stafa: Pyetja ishte për vartësen tuaj…
Petrit Malaj, Ministër i Financave: Unë besoj se ju përgjigja pyetjes tuaj. Në rast se keni prova për çështjet në fjalë që ngrini ka institucione ligj zbatuese të shkoni dhe ti denonconi këto gjëra dhe ju inkurajoj. Ju e keni zakon që i bëni gjërat personale. Ne si ministri Financash shtyhemi nga detyrimi për të përmbushur detyrimet ligjore që kemi për të përmbushur qytetarët shqiptarë, por edhe në raport me ligjin.

