Emisioni investigativ Vetting, News24

Dokumenti me firmë të falsifikuar, Bilali: Nëna ime nuk ishte gjallë
Zona e Borshi në Himarë është një nga brigjet më të lakmuara në jug të rivierës shqiptare sepse ka vijën e gjatë bregdetare dhe është larg presionit të betonit dhe ndërtimeve. Deri në vitin 2016 Borshi ka qënë pjesë e komunës Lukovë të rrethit Sarandë ndërkohë që tashmë prej gati një dekade i ka kaluar Bashkisë Himarë.

Afërsia me detin e kristaltë dhe bregdeti i virgjër janë një mundësi e artë për investim, në një tokë sic ishtë ish Shtëpia e Pushimit të Fëmijës Borsh, cila dihet që është truall, por pasojat që është trajtuar si tokë bujqësore kanë ngelur pa u rregulluar në dëm të ish pronarëve. Do të ishte kjo mënyra se si Tajar Lala do të merrte tokën aty, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh se pse kjo çështje nuk është zgjidhur kurrë.

Sipas ish-pronares Diana Bilali ngelet mister se si janë marrë këto prona nga persona që nuk plotësonin kriteret për t’i privatizuar.

“Objekti ishte objekt shtetëror, pra ky nuk figuronte me AMTP, ky nuk figuronte me dokumente pronësie sepse është përfitues nga reforma, atëhere si u gjend objekti në emrin e Tajar Balil Lalës? Objekti ishte objekt i këtij ansambli që ndodhet brenda truallit të shtëpisë së fëmijës dhe kanë qenë 9, biles për saktësi i bie të kenë qenë 12 objekte, nja 2-3 prej tyre nuk dihet çfarë funksioni kanë pasur. Këtu janë të pasqyruara. Unë ndoshta po të kem mundësi ta tregoj në kamera, për të cilën më kanë “torturuar” me vite për ato 700 metra katrorë, e di cfarë ka përpara, që më thoshin është tokë bujqësore? Ka dy objekte, dy troje, që janë më të vogla nga objekti që është 140 metra katrorë. Atëhere unë kërkoj të di, ç’ne Tajar Balil Lala këto 600 metra katrorë? Dhe ndërkohë unë bëj një kërkesë në vitin 2011, duke e parë që kjo situatë ishte shumë e veshtirë për tu zbërthyer, bëj një kërkesë jo vetëm për Tajar Lalën, por edhe për dy personat e tjerë që kanë marrë tokë me AMTP nga KNT Borsh, që quhen Gazmor Ferit Hizmo dhe Ramadan Mahmut Lala”, tregon Bilali.

Diana Bilali do të merrte 700 metra katrorë, nëpërmjet privatizimit, por nuk do t’i jepej e drejta për parablerjen e të gjithë ish Shtëpisë së Pushimeve të Fëmijës Borsh, e cila rezultonte si pronë e familjes së saj.

“Ikën Genc Ruli dhe vjen Dritan Prifti, i kalon materiali Dritan Priftit. Dritan Prifti bën një shkresë në të cilën thuhet, që pronarët e truallit, pa u cilësuar ne si emër, domethënë si familje, pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes. Prifti, ka bërë një vendim të tillë, i cili nuk mund të rrëzohet sepse ai ka pranuar që është e gjitha truall. Pra, në momentin kur ai ka marrë shkresën nga Z.R.R.P-ja ai ka kuptuar që këtu ka të bëjë me një truall dhe nga i gjithë konfigurimi, nga e gjithë planimetria dhe nga mënyra se si është ndërtuar e gjitha, është e vërtetë që është truall”, shprehet me bindje ish pronarja Bilali.

Pra, siç e shpjegon ish gazetarja tashmë në pension, në letra dhe kudo është specifikuar që zona është truall dhe jo tokë e një natyre tjetër. Por këtu qendron dhe marifeti sepse nëse rezultonte si tokë bujqësore, mund të kalohej me AMTP të vlefshme. Por gjërat do të komplikoheshin pasi gjatë kësaj kohe sipas Bilalit, ajo do të përballej me një tentativë për vrasje.

“Në 2010 ikën Dritan Prifti, vjen për pak kohë Ilir Meta mos gaboj dhe vjen Nasip Naço. Në atë kohë unë kam bërë një kërkesë, domethënë gjërat ndodhën shumë shpejt, patëm një ngjarje jo të mirë unë dhe vajza, 3 herë një person tentoi të na bënte një aksident me makinë. Hera e tretë ishte shumë e shprehur dhe ne kemi shpëtuar, do thonë për mrekulli të zotit siç thonë njerëzit. Dhe në atë kohë unë kërkova të di kush ishte personi, kush ishte targa dhe më del një person me mbiemrin Abazi, se të gjitha këto janë gjëra që kanë ardhur me radhë”, tregon e shqetësuar Diana Bilali.

Ish-pronarja Bilali tregon se pas kësaj ngjarje, ajo do të vazhdonte me procesin e privatizimit pavarësisht se i ishte rrezikuar jeta. Por asaj do t’i dilnin pengesa të shumta dhe kësaj radhe nga ish Ministria e Energjitikës, Tregtisë dhe Ekonomisë, si edhe nga ish Zyra e Regjistrimit të Pasurive Sarandë.

“U bë një shkresë të cilën, Nasip Naço e quajti saktësim të privatizimit. Domethënë nëse unë kisha kërkuar të gjithë privatizimin e të gjithë objekteve sepse e njihja si truallin tim atë, ai tha (i referohet Nasip Nacos): “Përderisa nuk kemi një vendim të kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të AKP-së”. Por ka një gjë, unë kisha kërkesën në AKP dhe kur ke kërkesën në AKP, problemi quhet i hapur. Pra, çmund të bënte Nasip Naço në atë kohë mendoj unë? Sepse Nasip Naço ka qenë një burrë i aftë në fushën e ligjit, nuk ka qenë një njeri i radhës. Ai mund të bënte këtë, kur unë i kam shkruar dhe i kam thënë, mund të bënte kërkesën në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.

Dokumentet zyrtare të nxjerra nga institucionet publike në lidhje me pronat e ish-pronares Diana Bilali zbulojnë të verteta tronditëse. Njerëz që nuk jetojnë më bëjnë kërkesa, ndërkohë që ish-Komuna Lukovë, ku Borshi ka qenë pjesë ka pranuar kërkesën dhe ka realizuar një genplan të falsifikuar. Sipas dokumenteve, kërkesën e ka bërë nëna e Diana Bilalit pas komunizmit, ndërkohë që e ndjera ishte ndarë nga jetë në vitin 1987.

”Nëna ime nuk ka qenë gjallë në atë kohë. Nëna ime ka vdekur shumë kohë më përpara në vitin 1987 dhe këtu jemi në vitin 1996 ( i referohet genplanit që ka në dorë Diana) është dhënë vendimi i Komisionit dhe ky është genplani shoqërues, por jo genplani im. Nuk e kam kërkuar unë dhe nuk kam marrë pjesë në bërjen e tij dhe kur e kam parë, kam qenë e detyruar ta pranojë sepse ka qenë institucion përfaqësues. Domethënë komuna Lukovë ishte mbajtësja e hartave në sektorin e urbanistikës dhe e tokave bujqësore dhe kam qenë e detyruar ta dërgojë në organe ligjzbatuese edhe në Gjykata”, tha Bilali duke ju referuar dokumentit të ish komunës Lukovë.

Sipas avokatit Ramaj, dokumente të tilla nuk mund të merren për kryerjen e këtyre veprimeve. “Në momentin që ky person ka ndërruar jetë dhe është firmosur në emër të tijin, një dokument shumë vite pasi ai ka ndërruar jetë, normalisht efektet e atij dokumentacioni ose i atij dokumenti konkret, Genplani janë nul. Normalisht duhet të ishte bërë një akt ekspertimi për të provuar ose për të parë një hetim më të saktë nga ana e prokurorisë, për të kontrolluar se kush e ka prodhur atë dokument dhe kush ka përfituar nga prodhimi i këtij dokumenti, pasi nuk mundet që një person i cili ka ndërruar jetë shumë më herët, të lëshojë dokumenta pas këtij fakti, dokumenti juridik”, u shpreh avokati Ramaj.

Komisionerja Lleshi ia ngec përgjegjësinë DAP-it, Erilinda Lala pa eksperiencë drejtuese kalon provimin Në 29 maj 2025, në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë do të emërohej Erilinda Lala pa patur statusin e nëpunësit civil si drejtuese e komanduar.

Nga analiza e “Vetting” shkelja e mundshme rëndon mbi Departamentin e Administratës Publike, i cili ka shërbyer si institucioni që ligjëroi emërimin e Drejtoreshës Lala përmes një procedure që anashkaloi konkurrimin e hapur për postin e Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë. Pesha bie mbi DAP-in sepse ka përgjegjësi për pranimin e Lalas në konkursin e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) në gusht-nëntor 2025, pa kryer një verifikim të saktë të kriterit ligjor prej 5 vitesh përvojë në pozicione drejtuese.

Nga korrespondenca me këtë institucion rezulton se DAP-i ka vepruar me një shpejtësi të pazakontë, duke nxjerrë aktin e emërimit më 19 shkurt 2026, vetëm 24 orë pas kërkesës së Ministrit të Financave Petrit Malaj në 18 shkurt 2026. Të gjitha këto janë indicie për një proces të paracaktuar që i jepte formë ligjore një situate ku Drejtoresha Lala ushtronte detyrën si e komanduar që prej majit 2025.

Departamenti i Administratës Publike ka përgjegjësi për mungesën e transparencës, duke u mjaftuar me përgjigje të pjesshme derisa u detyrua nga ankesat e emisionit “Vetting” dhe ndërhyrja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit për të vënë në dispozicion dosjen e plotë. Megjithatë përgjegjësi nuk ka vetëm DAP-i, por edhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil që drejtohet nga Lefterije Luzi Lleshi, e cila pavarësisht fuqisë ligjore për të inspektuar çdo parregullsi, ka mbajtur një qëndrim pasiv. Në përgjigjen ndaj “Vetting” për rastin e Drejtoreshës Erilinda Lala, Komisionerja Lleshi deklaroi se institucioni nuk kishte administruar informacion për verifikimin e ligjshmërisë së emërimit deri në momentin e kërkesës nga redaksia, duke shmangur rolin mbikëqyrës mbi procedurën e komandimit të vitit 2025, e cila ishte kryer përpara se subjekti të fitonte statusin e nëpunësit civil.

Në këtë rast, Komisionerja Lefterije Lleshi ia ka deleguar përgjegjësinë e rekrutimit DAP-it. Por Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil ka dështuar të veprojë si filtër kontrolli për një emërim që ekspertët ligjorë e konsiderojnë jashtë kritereve të ligjit “Për nëpunësin civil”.

Nga analiza e CV-së që ka dorëzuar pranë Departamentit të Administratës Publike, Erilinda Lala rezulton se ka si përvojë drejtuese pozicione që nuk përputhen me kriteret e shërbimit civil. Drejtoresha Lala ka shërbyer si juriste në Komisionin e Prokurimit Publik (2013-2018) dhe si Avokate Shteti (2018-2023), pozicione këto të përfaqësimit ligjor dhe jo të drejtimit administrativ në institucionet publike. Eksperienca e saj e mirëfilltë si drejtuese në një institucion publik rezulton në janar 2024 në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Ky fakt vërteton se në momentin e hyrjes në TND, Drejtoresha Lala kishte vetëm rreth 21 muaj përvojë drejtuese nga janari 2024, duke dështuar të plotësojë kriterin prej 5 vitesh eksperiencë si drejtuese. Kjo skemë, ku institucionet si DAP-i dhe Komisioneri i Mbikqyrjes së Shërbimit Civil kanë qendruar mënjanë, kanë lejuar që një zyrtare të marrë një nga postet më të rëndësishme të financave publike.

“Vetting” i bëri një kërkesë për koment Komisionerit të Mbikqyrjes së Shërbimit Civil për faktin se tashmë është në dijeni të këtyre procedurave dhe cilat ishin arsyet që nuk ka marrë masa për të verifikuar procedurat për Drejtoreshën Lala. Deri në publikimin e këtij materiali, nga Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil nuk pati asnjë reagim. Edhe DAP-i nuk reagoi, edhe pse u vu në dijeni që Komisioneri i ngarkoi një pjesë të përgjegjësisë përsa i përket çështjes së Erilinda Lalas.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb