Një konflikt mes fqinjëve në zonën e Arstit në Fushë-Arrëz ka marrë një tjetër zhvillim, pasi Skënder Nika është arrestuar me akuzën e kultivimit të kanabisit.

Sipas të dhënave paraprake, Nika ishte përfshirë pak ditë më parë në një sherr me fqinjët, ndërsa dyshohet se kishte denoncuar parcelat e tyre për kultivim kanabisi.

Por gjatë kontrolleve në zonë, policia ka zbuluar një parcelë me rreth 150 rrënjë kanabis, që dyshohet se i përkiste Nikës.

Sipas hetimeve, një prej elementëve që ka ndihmuar në zbulimin e pronësisë së parcelës ka qenë një tub vaditës, i cili dyshohet se lidhej me parcelën e kultivuar.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, shtetasin M. K., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia ka vijuar hetimet për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet që përpara drejtësisë të dalin edhe detaje të tjera mbi konfliktin mes fqinjëve dhe denoncimet e bëra për parcelat me kanabis.

Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Arsti”, si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Arrestohet një 55-vjeçar, i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Arst.

Procedohet penalisht kryeplaku i këtij fshati, për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Arsti”.

Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Arst, u gjetën të kultivuara 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi S. N., 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, shtetasin M. K., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb