Shoqata Dentare Shqiptare është shprehur kundër ndryshimeve ligjore, të cilat parashikojnë pagesën e sigurimeve shoqërore për stomatologët mbi bazën e pagës maksimale, që aktualisht është 97 030 lekë. Përmes një shkrese që mban datën 24.11.2015 drejtuar Kuvendit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave kërkohet mosmiratimi i këtij projektligji.

Ndërkohë që, përmes argumenteve të sjella theksohen pasojat që do të sjellë miratimi i tij në sektorin stomatologjik, ku më të rëndësishmet janë papunësia dhe ulja e aksesit të këtij shërbimi shëndetësor nga qytetarët. Po ashtu, në letër theksohet se propozimi rrafshon të gjitha dallimet endemike që ekzistojnë në vetë sektorin stomatologjik në termat e përvojës, shkallës së kualifikimit, investimi i mëparshëm dhe i vazhdueshëm, vendi i ushtrimit aktivitetit etj., çka do të thotë se të gjithë, pavarësisht aktivitetit dhe mundësive ekonomike të ndryshme do të paguajnë duke ju referuar pagës maksimale.

“Shtesa e pagesës për kontributet do të sillte përkeqësim akoma më të madh të gjendjes dhe mbylljen të një numri të konsiderueshëm kabinetesh dentare. Mbyllja do të shoqërohej me rritje të papunësisë dhe një efekt social për individin, familjen dhe shoqërinë”, thuhej ndër të tjera në shkresën e botuar të plotë 2 ditë më parë nga “Gazeta Shqiptare”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: