Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke goditur rrjetin e shitjes së naftës që, sipas Uashingtonit, përdoret nga Teherani për financimin e rindërtimit të kapaciteteve ushtarake dhe aktiviteteve që konsiderohen kërcënim për SHBA-në dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se administrata amerikane do të vazhdojë të rrisë presionin ekonomik ndaj regjimit iranian.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin për t’i privuar regjimit dhe ushtrisë së tij burimet financiare të nevojshme për të kërcënuar aleatët dhe partnerët e SHBA-së në Lindjen e Mesme”, u shpreh ai.

Bessent shtoi se SHBA nuk do të lejojë që Teherani të rrisë të ardhurat nga nafta për të rindërtuar aftësitë e tij ushtarake.

Sanksionet e reja, të ndërmarra në kuadër të memorandumit presidencial për sigurinë kombëtare dhe politikës së “presionit ekonomik”, synojnë ndër të tjera kompaninë Sepehr Energy Jahan Nama Pars, e konsideruar si krahu i shitjes së naftës i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Iraniane.

Sipas Departamentit të Thesarit, kompania ka përdorur një rrjet kompanish dhe anijesh të ashtuquajtura të “flotës në hije” për të transportuar naftë iraniane drejt Kinës dhe tregjeve të tjera, duke shmangur sanksionet ndërkombëtare.

Autoritetet amerikane pretendojnë se mes fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025, Sepehr bashkëpunoi me kompaninë Luan Bird Shipping Service LLC, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për transportimin e naftës iraniane drejt Kinës. Gjithashtu, sipas deklaratës, kompania hongkongase Growth Trading Co., Limited ka marrë komisione për rolin e saj në dërgesat e naftës me anijet e sanksionuara Boreas, Siri dhe Oxis.

Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe Damai Technology Development Limited, një tjetër kompani me bazë në Hong Kong, e cila akuzohet se ka vepruar si qiramarrëse e anijeve që transportonin naftë iraniane në emër të forcave të armatosura iraniane, përfshirë Gardën Revolucionare.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb