Qytetarët që prej 51 ditësh vijojnë protestat kundër qeverisë kanë paralajmëruar një tjetër tubim, i cili do të zhvillohet sot përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën kohë me seancën plenare. Seanca është njoftuar se do të nisë në orën 12:00.

Ndërkohë ka nisur mbledhja e qytetarëve jashtë Parlamentit.

Organizatorët u kanë bërë thirrje dje qytetarëve të marrin pjesë në protestë, duke deklaruar se synojnë të përcjellin mesazhin e tyre edhe përpara deputetëve.

Sipas aktivistëve, protesta para Kuvendit do të jetë një vazhdim i rezistencës qytetare që prej shtatë javësh zhvillohet çdo mbrëmje në Tiranë. Ata kanë theksuar se tubimi synon të shprehë pakënaqësinë ndaj institucioneve dhe mënyrës së funksionimit të Parlamentit.

“Do t’i tregojmë Kuvendit se nuk ndihemi të përfaqësuar dhe se qytetarët kërkojnë ndryshim”, është shprehur një nga aktivistët gjatë protestës së mbajtur mbrëmjen e djeshme.

Protesta pritet të zhvillohet ndërsa në Kuvend do të mbahet seanca plenare, ku në rendin e ditës janë raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, projektligji për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit, si edhe shqyrtimi i projektrezolutave për veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë dhe organeve të pavarura, përfshirë SPAK-un, Prokurorinë e Përgjithshme, KLGJ-në, KLP-në dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se do të vazhdojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë protestë e madhe është paralajmëruar në datën 23 korrik, kur do të mbahet edhe seanca e fundit plenare, para pushimeve të verës.
Aktivistët kanë bërë disa herë thirrje gjatë protestës së mbrëmshme për pjesëmarrje masive para Kuvendit më 23 korrik, ndërsa kanë bërë me dije se po bëjnë përgatitje të veçanta për këtë ditë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb