Në seancën e pasdites në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët e mazhorancës dhe opozitës ngritën shqetësime të shumta lidhur me problematika të zonave të tyre elektorale, duke përmendur cilësinë e ujit, mungesën e energjisë elektrike, si dhe rritjen e çmimeve të naftës dhe ushqimeve.

Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte mungesa e shumicës së ministrave, të cilët nuk ishin të pranishëm për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve. Debati mes ministrit të Drejtësisë dhe deputetit të PD, Klevis Balliu, u pasua nga largimi i deputetëve të opozitës nga salla për të marrë pjesë në Foltoren e PD para Kryeministrisë dhe braktisja e seancës nga pjesa tjetër e kabinetit qeveritar.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shpalli mbylljen e punimeve, ndërsa në sallë mbetën disa deputetë dhe ministrja e Shtetit për Parlamentin, Erjona Ismaili.

Mungesa e ministrave u perceptua si shenjë e indiferencës ndaj shqetësimeve reale të qytetarëve dhe si një mungesë respekti për votën që qytetarët i kanë dhënë përfaqësuesve të tyre në parlament.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb