TIRANE – Kuvendi u përfshi dje në një situatë kaotike, për shkak të bllokimit që opozita i bëri foltores. Zhurmë, tension dhe vezë të hedhura në drejtim të kryeministrit Rama ishin “kryefjala” e punimeve parlamentare.
Një ndër deputetët demokratë që qëlloi me vezë ishte edhe Bedri Hoxha, i cili deklaron për “News24” se nuk është penduar për sjelljen e tij në Kuvend. Hoxha thotë se i vjen keq që vezët që hodhi nuk e kapën kryeministrin.
Sipas Hoxhës, prania e vezëve në parlament ka qenë jo për t’i gjuajtur kryeministrit por nëse do të kishte një seancë normale parlamentare, simbolika e tyre do ishte shkatërrimi në embrion që Rama po i bën gjithçkaje në vend.
“Shkak i situatës së tensionuar në parlament është Edi Rama. Reagimi i opozitës në këtë formë për shkak të sjelljes së maxhorancës. Ne e dimë që ky nuk është një reagim normal. por pas fyerjeve që bëri ndaj nesh Rama, ishte reagim i butë. Gjuajtjen me vezë e kam bërë me vetëdijë të plotë. Por fatkeqësisht Ramën nuk e kapi asnjë prej vezëve.”- deklaroi Hoxha.
Sipas deputetit Hoxha, opozita do t’i përshkallëzojë format demokratike të protestës ndaj qeverisë.
“Parlamentit nuk mund t’i rikthehet normalitetit pa pranuar kërkesat e shtruara nga opozita.”- tha Hoxha.
Në përfundim të seancës së djeshme plenare, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta përjashtimin e tre deputetëve demokratë, Gent Strazimiri, Albina Deda dhe Bedri Hoxha, të cilët gjuajtën me vezë kryeministrin.
(er.nu/BalkanWeb)
