Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka kërkuar nisjen e procedurave institucionale për zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jashari u ka bërë thirrje deputetëve që të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme dhe të ndërmarrin hapa institucionalë lidhur me vendimin e gjykatës.

“PDK do t’i marrë të gjithë hapat, por unë si Sala Jashari kam bërë thirrje kryesueses së Kuvendit që të bëjmë thirrje të menjëhershme që nesër ta fillojmë seancën. Të gjithë deputetët do të kthehen nga Haga dhe të fillojmë me seancë”, ka deklaruar ajo.

Sipas Jasharit, institucionet duhet të dërgojnë një mesazh të qartë se aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk përfaqëson një dënim të popullit të Kosovës.

“Do të kërkojmë të gjitha format që të zhbëjmë Gjykatën. Por, mbi të gjitha, është shumë e nevojshme të dërgohet mesazhi që çlirimtarët nuk dënohen në emër të popullit”, ka thënë deputetja.

Ajo ka kërkuar gjithashtu hartimin dhe miratimin e një rezolute në Kuvend, përmes së cilës, sipas saj, do t’u përcillej ndërkombëtarëve qëndrimi se UÇK-ja nuk duhet të dënohet në emër të popullit shqiptar.

Jashari e ka kritikuar procesin gjyqësor në Hagë, duke pretenduar se ai ka qenë politik dhe jo i drejtë. Ajo ka përmendur edhe thirrjen e bërë nga avokati i Hashim Thaçit për nisjen e procedurave institucionale për zhbërjen e gjykatës.

Në të njëjtën kohë, deputetja u ka bërë thirrje protestuesve për qetësi dhe maturi, duke kërkuar që të shmangen përplasjet me Policinë e Kosovës.

“Kam ardhur këtu me idenë dhe qëllimin që të gjithëve këtu, po e shoh që shumica janë të rinj, t’ju them që ne duhet ta ruajmë qetësinë dhe maturinë”, është shprehur Jashari.

Ajo ka theksuar se situata duhet t’i bashkojë qytetarët dhe partitë politike, ndërsa ka kërkuar që protestuesit të mos dëmtojnë apo lëndojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Kërkoj qetësi prej protestuesve. Kjo është diçka që na prek të gjithëve dhe duhet të na bashkojë të gjithëve. Në asnjë formë të lëndojmë policët dhe njerëzit tanë”, ka deklaruar Jashari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: