Redi Jupi ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Sport News” në News 24” me moderatoren Enxhi Biba. Në një lidhje direkte ai ka analizuar sidomos Dinamon, një klub me të cilin mbetet i lidhur ngushtë, edhe pse në të kaluarën ka veshur edhe fanellën e Partizanit dhe Tiranës.

Me 3 ekipet e kryeqytetit – “Kam qenë me të tre klubet, por jam një dinamovit, formimin e kam kaluar te Dinamo dhe në moshë madhore isha edhe te Partizani dhe te Tirana. Kam luajtur me të tre, por ajo që kam përjetuar kur kam veshur fanellën e Dinamos, edhe në derbit përkatës, ka qenë më e veçantë.

Kemi fituar edhe titullin, se kemi qenë një grip që mbërriti natyrshëm, ishte përfundimi i një cikli natyral i formimit të një ekipi e grupi. Kurse te Tirana ishte ndryshe, ishte një klub që në letër nuk llogariste të tjerët në kohë që luaja unë.

Edhe Partizani është aty afër në mënyrën si e përjeton derbin, se tani janë barazuar në mënyrën emocionale të tejskajshme si e përjetojnë ndeshjen me Tiranën. Nëse e vute re derbin Dinamo-Tirana, ishte ndeshje interesante dhe e bukur, e këndshme për ta ndjekur, por mungonte agresiviteti. I tifozëve në tribuna apo edhe lojtarëve, ishte një ndeshje Fair Play siç ka qenë gjithmonë.

Kujtimet në derbi? – Dinamo i ka pasur Tiranën e Partizanin si rivalë, jo armiq. Ka qenë një ndeshje derbi me Tiranën në vitin 2002 me një arbitër spanjoll me stadiumin plot. Kishte futboll cilësor, shumë i mirë, me respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit. Kjo ishte e bukura atëherë, kishte respekt reciprok mjaft të madh, në fushë luftohej për të fituar por mbaronte aty. Jashtë fushës ishim shumë miq me njëri-tjetrin.

Dinamo ka bërë një hap shumë të madh përpara me rikthimin në Superiore, me rikthim interesant. Ka bërë skuadër shumë të mirë, cilësore, është me lojtarë ndër më të mirët në kampionat. Por nga kjo për të fituar titullin e pretenduar për objektiva madhorë, është pak e parakohshme. Çdo pretendim deligjitimohet, jo se i hiqet e drejta për të fituar kampionatin, por nëse lirohet nga ky presion i shtuar pa shkak do bëjnë një kampionat të mirë, solid e interesant për të kthyer Dinamon në nivelet që meriton.

Ecuria e bluve – Dinamo është futur te ekipet e rëndësishme te kampionatit, është dinjitoze kur përballet me skuadra më të forta. Mundi Tiranën siç mund të mposhtë këdo, ndaj mendoj se ka arritur objektivin e parë madhor që kishte. Pastaj duke parë rrugës dalëngadalë.

Kupa – Kupa është një kompeticion i cili nuk hyn shumë te logjika teknike, mund ta fitojë edhe një skuadër e kategorisë inferiore, apo pa pretendime, apo e papërgatitur për kampionat. Kupa fitohet se nganjëherë është edhe e rastësishme, se është me vajtje-ardhje. Nga Kupa as Egnatia nuk heq dorë, jo më Dinamo.

Kupa nuk është objektiv në vetvete, por që në kampionat skuadra të jetë sa më solide, të shprehet sa më mirë, të fitojë ekuilibra, të marrë përgjigje e garanci nga lojtarë të caktuar. Se po bëhet fjalë për të ndërtuar skuadër për sot e vitet e ardhshme. Nëse ajo i konfirmon 7-8 lojtarë në nivele të larta, mendoj të bëjnë një kampionat të mirë këtë vit, e në vijim pastaj të luftojë fort për të luftuar për çdo trofe të mundshëm.

E ardhmja – Dinamo në letër është skuadër e ndërtuar mirë, nuk është ndërtuar pa logjikë, ka një portier të ri por të mirë që jep garanci, ka katër mbrojtës që kanë bërë shumë mirë në skuadrat ku kanë qenë. Ka mesfushë të mirë dhe pastaj përpara janë Ibraimi, Çinedu e Mihana e të tjerë meqë nuk është konfirmuar plotësisht në këtë repart.

Ajo që nuk po funksionon është që mesfusha nuk po tregohet në nivelin e skuadrave më të mira të kampionatit dhe mbrojtësit e krahut nuk luajë në aspektin ofensiv sa duhet. Pastaj nganjëherë pëson gola më të lehtë se sa duhet, por këto janë detaje”, tha ndër të tjera Jupi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb