Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës dhuroi emocione të mëdha, teksa në fund triumfuan të kuqtë me shifrat 2-0. Takimi ishte mjaft i luftuar, sfida pati ndërprerje të shumta për shkak të kaosit të krijuar prej tifozëve. Në një lidhje Skype me Sport News në News 24 foli trajneri i Kombëtares U19, Armando Cungu, i cili preku çështje të ndryshme të kampionatit shqiptar.

 

 

Intervista:

1-Profesor, a i trazoi realisht derbi kartat në garën për titull? Çfarë impakti mund të ketë në sezonin e Partizanit?

Normalisht, në një farë mënyre i trazoi kartat ky derbi. Tirana kishte krijuar shkëputje nga skuadrat e tjera. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për Partizanin. Ky triumf ndikon edhe në aspektin psikologjik. Gara u bë edhe më interesante, të gjitha ekipet janë aty.

2-Profesor, brenda pak ditës, Partizani pësoi një humbje të rëndë ndaj Vllaznisë në Kupë, më pas dominoi Tiranën, kush është Partizani i vërtetë?

Unë mund të them se kush janë ekipet e vërteta. Nëse kemi fol për një Tiranë stabile, edhe kjo skuadër po tregon oshilacione. Ndeshja derbi ndryshoi shumë gjëra. Partizani e kishte shumë të nevojshme këtë fitore, gjithsesi, duhet parë ndeshja me Vllazninë. Vllaznia po bën mirë.

3-Të shtunën rikthehet sërish në “Loro Boriçi”, a është kjo prova e vërtetë për Partizanin, dhe mbi të gjitha, a është ky shansi i fundit për Vllazninë? Kë sheh favorit në këtë përballje?

Jo, nuk është shansi i fundit i Vllaznisë. Vllaznia është në garë për titull dhe më e keqja minimale është të luftojë për Europën. Ekipet nga fundi i tabelës mund të ngjiten sipër. Do ketë shumë lëvizje deri në fund të kampionatit. Le të fitojë më i miri.

4-Profesor, kemi parë një Balaj nervoz së fundmi, nuk po gjen dot golin në këtë rikthim. A ndikon kjo situatë te grupi, te dhomat e zhveshjes? A mund të kthehet në një problem?

E njoh mirë Bekimin që prej moshës 16-vjeçare. Vazhdoj të kem kontakte me të, edhe pse të rralla. Është një djalë model dhe i kupton situatat. Ka nervozizëm, e ka me veten dhe me askënd tjetërëve. Kjo situatë i ndodh edhe të tjerëve.Nuk mendoj se ai është person që krijon probleme.

5-A ndikon Kupa te sezoni i Vllaznisë profesor, te kampionati, duket se sërish i kushtojnë shumë rëndësi, janë shumë të fokusuar aty. A mjafton Kupa vetëm Kupa këtë vit? 

Dëshira në Shkodër është shumë e madhe. Është një trofe që i mungon Vllaznisë. E rëndësishme është të arrish objektivat. E rëndësishme është që klubi mos të dalë nga objektivat. Kupa ka një rëndësi të madhe për të garantuar pjesëmarrjen në Europë. Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të fituar kampionatin.

6-Profesor, doja dhe një koment shumë të shkurtër për Tiranën: 4 humbje në 6 ndeshjet e fundit, a mund të ringrihen më Tiranë?

Shumë janë për një skuadër 4 humbje. Nuk është tragjedi të lësh pikë me skuadrat e mëdha, por me të voglat. Te Tirana kam thënë që prej 3 vitesh që ka një diferencë prej skuadrave tjera. Tirana është emër i madh, ka kualitete. Mendoj se është një ekip që ka mundësi të dalë nga kjo gjendje.

7-Profesor, një parashikim të fundit, shumë shkurt, si del Vllaznia-Partizani? 

Nuk bëj parashikime. Nuk mund të bëj parashikime, jam shumë i kënaqur që do shikoj një ndeshje të mirë dhe të luftuar. Shpresoj që Vllaznia të dalë triumfuese. Bëj tifo për Vllazninë. Shanset janë të mëdha që të fitojë Vllaznia ndaj Partizanit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb