Partizani ka një shans të artë për të “shpëtuar” një pjesë të sezonit. Një fitore e mundshme në derbi, do të blindonte prezencën e tyre në Evropë, në të njëjtën kohe do të shtynte festën e rivalëve të tyre të përjetshëm, ky do të ishte një skenar perfekt që e dëshirojnë të gjithë tifozët, edhe vetë trajneri Mehmeti, derbi është derbi për teknikun e “demave”, një ndeshje që duhet fituar:

Derbi – “Kur bëhet fjalë për derbin është diçka e veçantë është një histori tjetër. Pavarësisht objektivave që kanë të dyja klubet është një derbi dhe ne nuk mund ta menaxhojmë objektivin që ata kanë fitimin e titullit ndërsa ne arritjen e objektivit minimal që të mbërrijmë në Kupat e Europës. E rëndësishme është që të interpretojmë ashtu si duhet derbin dhe shpresoj që të arrijmë të tregojmë atë që kemi bërë kohët e fundit sepse skuadra është paraqitur sesi stërvitet dhe ashtu siç lojtarët kanë karakterin.”

Ndeshja ndaj Tiranës – “Tirana ka kualitetet e saj, siç mund të ketë pikat e forta ka edhe pika të dobëta. Siç edhe ne kemi elementë shumë cilësorë që mund t’i godasim. Ne marrim maksimumin, stërvitemi pavarësisht kundërshtarit. Derbi është derbi dhe detyrat taktike kalojnë përtej. Këtu kemi lojtarë kampionë, por kemi dhe lojtarë që nuk e kanë provuar derbin dhe është një miks i tillë në aspektin psikologjik, shpresojmë të fitojmë nesër.”

Ngarkesa psiko-fizike – “Kam një staf shumë të mirë, punojmë të gjithë dhe nuk është vetëm merita ime, por e gjithë stafit, e lojtarëve që jemi në këtë pikë. Ndeshjen derbi me Dinamon kemi luajtur rreth 55 minuta me dhjetë lojtarë. Edhe me Kukësin kemi luajtur 100 minuta edhe ajo ka pasur ngarkesën psiko-fizike, kemi derbin dhe mendoj se skuadra do të japë gjithçka.”

“Selman Stërmasi” apo “Elbasan Arena”? – “Me thënë të vërtetën do të ishte më mirë të luhej derbi në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ sepse ne edhe kur kemi dalë kampionë, pavarësisht se ky stadium nuk është i yni, por i Bashkisë, por ne kemi fat edhe do të ishte më mirë aty. Autoritetet nuk morën përsipër organizimin e ndeshjes aty dhe u detyruam ta zhvillojmë ndeshjen në ‘Elbasan Arena’.”

Shpallja kampion e Tiranës – “Unë nuk merrem se çfarë mendon Tirana dhe kur ata duhet të shpallen kampionë. Tirana ka ndeshje të tjera për të dalë kampion.”

Sfida e ndjekur në stadium në Tirana-Teuta – “Ne jemi rivalë të përjetshëm brenda kornizës së ‘Fair Play’-it, shkova të shoh një ndeshje për kënaqësi, por edhe për të parë gjendjen që ka Tirana. Këtë gjë mund ta bënte dhe trajneri i Tiranës që të vinte ta shihte Partizanin.”

Parashikimi i derbit – “Është e vështirë që të parashikosh një derbi nëse duhet të jesh cinikë apo të jetë një lojë e hapur. Tirana i ka shfrytëzuar shumë mirë elementët që ka sepse në situatat e ndryshme i shënon golat, por unë e shoh te skuadra ime që vuaj në 20 metrat e fundit, prodhojmë shumë dhe shpërdorojmë shumë raste për gol.”

Menaxhimi i skuadrës – “Kjo është pjesë që është menaxhimi dhe tranzicioni që po kalon Partizani, ndërsa Tirana e ka ruajtur boshtin. Vitin e kaluar ata nuk ishin në Europë, ruajtën boshtin dhe trajnerin dhe ata u shpallën kampionë.”

Komoditeti i skuadrës – “Nuk e ndjej veten komod, unë mendoj vetëm për ndeshjen e radhës. Nëse do të ndihesha komod do të bëja gabimin më të madh unë edhe e gjithë skuadra, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse ende nuk ka përfunduar asgjë. Lojtarët as nuk e mbajnë mend kur e kanë fituar derbin e fundit, janë fokusuar vetëm te e ardhmja sepse është në mentalitetin e tyre.”

Tifozët – “Ne e kemi shumë të rëndësishme dhe nuk bëjmë pa tifozët. Kanë bërë gjithçka, i bëj thirrje të jemi të gjithë bashkë, sepse këtu tregohet sesa e duam klubin.”, përfundoi trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb