Dy humbje në dy derbet e fundit, tetë gola të pësuar në vetëm dy ndeshje, 7 pikë 15 javë janë shifra që flasin qartë për dramën që po kalon Tirana, me klubin më të titullar në vend që e ka të vështirë të dalë nga fundi i ftohtë ku është zhytur. Të gjesh shpëtim për bardheblutë në këto kushte është thuajse e pamundur.

Në “Air Albania”, ndaj Partizanit, rivalit të përjetshëm, Tirana pësoi humbjen e radhës, e 10-ta këtë sezon, 10 humbje në 15 ndeshje. Suksesi i fundit dhe i vetmi i bardhebluve këtë sezon ishte pikërisht ndaj Partizanit, por këtë herë nuk arritën të përsërisnin historinë pasi Human dhe Skuka realizuan nga një gol për pjesë duke “shtrirë në tapet” ekipin e Nuhiut. Situata dhe pozicioni i trajnerit Nuhiu rendohet akoma më shumë pasi me të në stol bardheblutë kanë marrë vetëm 1 pikë në 6 ndeshje. Në situata të tjera, në të kaluarën e largët dhe të afërt, do të ishte e vështirë që një trajner me shifra të tilla të qëndronte në krye të Tiranës.

Situata është totalisht ndryshe në radhët e Partizanit pasi ky sukses 0-2 i afron “demat” me ekipit që synojnë të sigurojnë një vend në “Final4”. Me Kërnajan në stol, Partizani nuk njeh humbje në 6 ndeshjet e fundit, 3 fitore 3 barazime, dy fitore radhazi që i japin shpresë dhe besim për të ardhmen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb