TIRANE- Të gjithë fermerët e dëmtuara nga ngordhja e gjedhëve pasi janë prekur nga sëmundja e Dermatozës nodulare do të dëmshpërblehen në natyrë me kafshë pasi të mbaroj procesi i vaksinimit. Lajmi u be i ditur nga drejtori i Shërbimit Veterinar, Edi Ferro gjatë një konference për shtyp, ndersa pohoi se gjithçka do të monitorohet.
Ministria e Bujqësisë vendosi sot të lejojë lëvizjen e kafshëve gjalla të llojit gjedh nga fermat vetëm në drejtim të thertoreve brenda qarkut të origjinës. Me urdhër të ministrit, Edmond Panariti janë reduktuar masat shtrënguese të bllokimit total të lëvizjes së kafshëve të gjalla të llojeve gjedh, duke lejuar lëvizjen e tyre në drejtim të një thertoreje të përcaktuar brenda qarkut të origjinës së tyre.
Ky urdhër vjen pas vendimit të datës 15 gusht, që lejonte lëvizjen e kafshëve të llojit dhen dhe dhi në drejtim të një thertoreje të përcaktuar brenda qarkut të origjinës së tyre. Shërbimi veterinar në Drejtoritë e Bujqësisë në qarqe do të informojnë fermerët që mbarështojnë gjedh dhe do të kryejë monitorimin e lëvizjes së kafshëve dhe mjeteve të transportit si dhe do të informojë çdo ditë Drejtorinë Veterinare.
Drejtoria Veterinare do të bashkëpunojë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të bashkërenduar punën edhe me njësitë e qeverisjes vendore për monitorimin e tregjeve të kafshëve dhe thertoreve. Aktualisht, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave nëpërmjet shërbimit veterinar dhe strukturave të tjera të varësisë është duke ndjekur vazhdimisht rastet mbi numrin kafshëve të prekura dhe shtrirjen gjeografike të tyre. “Në kushtet kur vaksinimi i kafshëve të llojit gjedh në të gjithë vendin është kryer në një numër të konsiderueshëm kafshësh dhe po vazhdon me ritme të kënaqshme në të gjithë vëndin, sipas situatës që do të paraqitet, MB do të rishikojë mundësinë e reduktimit të mëtejshëm të masave të bllokimit të lëvizjes së kafshëve deri në shfuqizimin e plotë të Urdhrit nr 371 datë 08.07.2016”, përfundon njoftimi i ministrisë.
(ed.me/BalkanWeb)
