Ura e gurtë e fshatit Derviçan rrezikon shembjen si pasojë e amortizimit të saj. Ura 200-vjeçare ka shërbyer historikisht si pikë lidhëse për banorët e këtij fshati me tokat e tyre bujqësore.
Ndër vite ura ka pësuar dëmtime në muret anësore dhe këmbët e saj, ndërsa marrja e inerteve lumore dhe shkatërrimi i shtratit të lumit ka rënduar situatën sidomos gjatë stinës së dimrit.
Berti Kasi, drejtori i Drejtorisë së Monumenteve Kulturore në Gjirokastër pohon se ura nuk është monument kulture.
Një projekt i qeverisë vendore për restaurimin e urës, hartuar disa vite më parë, nuk ka gjetur ende zbatim për shkak të mungesës së fondeve.
Janë rreth 10 ura të vjetra në zonën e Dropullit, të cilat janë në rrezik shembjeje për shkak të mungesës së investimeve dhe ndërhyrjeve restauruese.
(BalkanWeb)