Drejtori sportiv i Partizanit, Dritan Dervishi ka dalë sot në konferencë për shtyp duke komentuar situatën që po kalon ekipi i kuq. Dervishi u ndal fillimisht te eliminimi nga Kupa ku theksoi se ekipi nuk kishte fat në ndeshjen e kthimit.

“Objektivi i Kupës, me keqardhje them që iku, por dua të ndalem pak këtu. Paraqitja që skuadra dhuroj për 90 minuta ishte mjaft pozitive, dhe eliminimi erdhi si rezultat i ndeshjes së parë, ndërsa në ballafaqimin e kthimit mendoj se fati nuk ishte në anën tonë”, tha fillimisht drejtori i Partizanit. Më pas ai deklaroi se tashmë ekipi kthen gjithë vëmendjen te kampionati dhe se do të luftojë deri në fund për titullin kampion.

“Tashmë të gjitha energjitë do t’i fokusojmë tek kampionati, dhe do të luftojmë për titullin deri në minutën e fundit. Kampionati ka ende shumë ndeshje dhe çdo javë do të jetë një betejë, pasi ashtu si ne, edhe ekipet e tjera do të kërkojnë të përmbushin objektivat sezonal. Kampionati ynë është shumë i vështirë, prandaj nuk mund të parashikosh rezultatin. Kam besim te kjo skuadër pasi nga java në javë e shoh gjithmonë në rritje, në aksione sulmuese , në intensitet dhe kondicion mjaft të mire fizik e teknik. Edhe lojtarët e rinj sa vijnë e po përshtaten, pasi tashmë kanë njohur filozofinë e skuadrës, apo dhe metodat teknike të trainerit ndaj e shoh mjaft pozitive të ardhmen tonë.

Nga starti i gjysmës së dytë të kampionatit mendoj se ekipi ka gabuar vetëm në pjesën e dytë me Vllazninë, gjë e cila nuk di të shpjegohet nga asnjë, ndërsa me skuadrat e tjera ka krijuar lojë. Jemi penalizuar shumë prej episodeve të ndodhura në disa ndeshje. Tashmë skuadra është më shpesh në portën e kundërshtarit, ndryshe nga më parë kur mendonte më shumë për të mos pësuar gol. Ndaj Kukësit jemi të destinuar të marrim patjetër fitore, nuk duhet të fshihemi pas justifikimeve. Me lojën e duhur dhe të bukur duhet të marrim patjetër 3 pikët edhe pse tapeti i “Qemal Stafës” lë shumë për të dëshiruar”, vazhdoi Dervishi.

Tërbuni -Skënderbeu
“Në harkun e pak ditëve në këtë impjant janë zhvilluar 3 takime, ku do të veçoja ndeshjen Skëndërbeu – Tërbuni. Nuk e kuptoj përse kjo ndeshje u zhvillua aty, kur dihet që nëse fusha e skuadrës pritëse nuk ofron kushte optimale duhet ti luaj ndeshjet në një largësi prej 100 kilometrash. Federata ka bërë shkelje të rregullores, kur kjo rregullore është e shkruar dhe jo e thënë nga unë. Përsa i përket gjykimeve nuk ankohemi asnjëherë për arbitrat.

Tashmë kanë filluar ekipet e tjera ta bëjnë modë të ankohen për Partizanin, kur deri tani ne nuk jemi favorizuar aspak nga arbitrat majde na janë mohuar shumë raste. Ndodh që dhe arbitrat të gabojnë, pra, s’janë vendime keqdashëse, thjesht më shqetëson fakti që Partizani po paragjykohet. Respektojmë Skënderbeun pasi është një skuadër e konsoliduar, por ne do vazhdojmë ta rivalizojmë deri në fund”, tha ndër të tjera Dervishi.

Përplasjet mes tifozerive
“Përsa i përket tifozerive, mendoj se çdo tifozeri t’i lerë provokimet në fushë, dhe jo jashtë saj. Në fund të fundit, të gjithë jetojmë në Tiranë, ndajmë një qytet. Nuk do të lë pa përmendur rastin e derbit në finalen e Kupës U 19-ës, kur tifozët e Tiranës sulmuan tifozët tanë në sektorin e tyre të stadiut, aq më tepër që ishin fëmijë. Këta nuk mund t’i quaj tifozë, por pseudo-tifozë pasi nuk përfaqësojnë tifozerinë e Tiranës. Shpresoj të mos ketë më incidente të tilla dhune,këto episode janë të dënueshme në futboll”, deklaroi në fund të fjalës së tij Dritan Dervishi./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: