TIRANE- Një vit më parë ishte i pashpresë dhe i papunë ndonëse kishte një diplomë në xhep, si ai ashtu edhe bashkëshortja. Por sot, një vit më vonë Eris Alimema nga Tepelena ka zgjedhur të punojë në të zezë në Berlin dhe ndjehet shumë mirë. Në një komunikim me Skype në emisionin “Studio e Hapur” tregon se e ka përdorur kërkesën për azil për të njohur vendin, mësuar gjuhen e për të gjetur një punë.
I diplomuar në Shqipëri si laborant dentar, Erisi thotë se fiton shumë mirë në Berlin, ndonëse punon në të zezë dhe nuk do të kthehet në vendin e tij, pavarësisht se ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi i premtoi se mund të aplikojë për një punë në Gjermani me dokumente të rregullta.
Eni Vasili: Eris, ti ndodhesh ende në Berlin?
Ish-azilkërkuesi: Po, në Berlin
Eni Vasili: Çfarë ka ndodhur me ty?
Ish-azilkërkuesi: U ktheva njëherë në Shqipëri për disa arsye të miat.
Eni Vasili: Ti rikthehesh përsëri…në rrugë legale?
Ish-azilkërkuesi: U ktheva vetë, tani erdha me pasaportë 3 mujore, kam gjetur një punë që herën e parë që isha
Eni Vasili: Na thuaj çfarë pune ke gjetur me kontratë apo në të zezë?
Ish-azilkërkuesi: Për momentin në të zezë
Eni Vasili: Për sa kohë?
Ish-azilkërkuesi: Për sa kohë që të kem dëshirë
Kreshnik Spahiu: Ju jeni nga Tepelena, afro 2 apo 3 mijë veta janë ose shefa policie ose qarkullimi ose dogana, çereku tjetër e ka mbushur qytetin me hashash jeni xheloz që ju atje punoni me djersën e ballit?
Ish-azilkërkuesi: Nuk jam aspak xheloz, kjo është zgjidhje afatshkurtër
Eni Vasili: Kur keni shkuar në kamp kërkuar azil politik apo ekonomik?
Ish-azilkërkuesi: Këtë e shfrytëzova për mundësi që të gjeja një punë të njihesha me vendin…
Eni Vasili: Po pse je larguar nga Shqipëria? Arsyet?
Ish-azilkërkuesi: Papunësia, nuk kishte punë gjëkundi, s’mu hap asnjë derë. Rroga në të zezë ishte katastrofë, minimale. Edhe ketu në të zezë punoj
Eni Vasili: Fitimi juaj mujor?
Ish-azilkërkuesi: Rreth 2 mijë euro
Eni Vasili: E përballoni mirë?
Ish-azilkërkuesi: Shkëlqyeshëm
Eni Vasili: Do ju bashkohet bashkëshortja?
Ish-azilkërkuesi: Po shumë shpejt
Eni Vasili: Nëse ju kapin pas periudhës 3 mujore?
Ish-azilkërkuesi: Nuk të ngacmon njeri këtu nëse je korrekt
Eni Vasili: Puna në të zezë nuk e di a quhet korrekt?
Ish-azilkërkuesi: Po përderisa edhe ju atje e quani korreke…
Ministri Klosi: Do doja ti uroja jetë të sigurt tashmë mund të shkojë me kontratë të rregullt punë ne Gjermani. Historia e tij është ajo e asaj që ndodhi 2 vjet më parë në Shqipëri. Erisi, burrë e grua me shkolla të larta. Pra mund të punojë në profesionin që ka.
(ma.ar/BalkanWeb)
