NGA: KLODIANA LALA* TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dje dëshmitë e tre personave, në procesin penal ndaj nëntë të akuzuarve për rekrutim të besimtarëve myslimanë për xhihad luftarak në Siri, ku mes të pandehurve janë dhe dy imamët e vetëshpallur të xhamive të Unazës së Re dhe Mzezit, Genci Abdurrahim Balla dhe Bujar Hysa. I pari që dëshmoi para pesëshes gjykuese ishte ish-bashkëshorti i Almira Kastratit, e cila aktualisht ndodhet në Siri së bashku me fëmijët e saj të mitur.

Zamir Mani tha se ishte divorcuar nga Almira Kastrati dhe sipas vendimit të gjykatës ai duhej të takonte djalin e mitur dhe duhej t’i paguante pensionin ushqimor. Por në tetor 2013, ai ka humbur kontaktet me të birin, pasi ish-bashkëshortja ishte larguar nga banesa ku qëndronte në Shkodër. “Po kërkoja që të takoja tim bir, por nuk po e gjeja dot. Erdha në Tiranë, ku edhe bëra kallëzim, por në polici më thanë ta kërkoja në Kavajë. Aty mësova se Almira kishte ikur bashkë me djalin në Siri”, – tha Mani. Madje ai theksoi se gjatë kërkimeve kishte takuar tre persona që i kishin thënë se ishin “vëllezërit myslimanë të motrës”, pra të ish-bashkëshortes së tij.

Mani theksoi se aty mësoi se ish-bashkëshortja ishte martuar me një person që quhej Abdurrahim Balla, të cilin në fakt s’e njihte, por që nga verifikimet e prokurorisë rezulton të jetë imami i vetëshpallur i xhamisë në Unazën e Re, Genci Balla. Dëshmitarët Erzen Gashi e Artur Korra mohuan deklaratat e dhëna gjatë hetimeve paraprake në polici, duke mohuar se i kishin dhënë nën presion. Ndërsa prokuroria lexoi para gjykatës deklarimet e dhëna më herët prej tyre, ku rezultonte se të dy kishin qenë pjesë e luftimeve në Siri. Sipas gjykatës, të dy dëshmitarët kishin pasur kontakte me të pandehurit Gerti Pashja dhe Edmond Balla, të cilët janë nën akuzë për “rekrutim për qëllime terroriste”.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: