Zbardhet dëshmia në gjyq e 31-vjeçarit Elmir Tufa, i cili akuzohet për vrasjen e Shkelzen Kastratit. Krimi ndodhi dy vite më parë në rrethrrotullimin e Sheqit në Fier. Gjatë marrjes në pyetje sot në seancën gjyqësore, Tufa, ndaj të cilit u la në fuqi masa ‘arrest me burg’, i riu mohoi se është autor i vrasjes.

Gjatë seancës 31-vjeçari ka hedhur poshtë përfshirjen në vrasjen e biznesmenit në shkurt të vitit 2021, ku pretendon se atë ditë ka qenë në gjykatën e Krujës, në një masë sigurimi të një kushëriri të tij. Tufa dhe avokati i tij pretendojnë se për këtë kanë edhe prova filmike.

Mbrojtësi i personit nën hetim ka kërkuar një masë sigurimi më të butë, atë të ‘detyrimit për t’u paraqitur’ në policinë gjyqësore për të cilën Elmir Tufa ka thënë se është “Dakord me avokatin”.

Pasi dëgjuan palët, gjykata la në fuqi masën e arrestit në burg për Elmir Tufën, ku ndaj tij rëndojnë veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”. Për këtë vrasje 2 vite më parë u dyshuan si bashkëpunëtorë Albert Zaja 37 vjeç, Elmir Tufa 29 vjeç, Elson Xhecuka 27 vjeç dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç. Prej autorëve të dyshuar është arrestuar dhe dënuar me 21 vite burg vetëm Albert Zaja. Biznesmeni Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba, në lagjen Sheq në Fier. Ai ka qenë në lëvizje me makinë kur është qëlluar nga një person nga një makinë ‘Range Rover”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb