SHKODËR- Zef Gjoni, një prej dëshmitarëve të meshës së 4 nëntorit 1990 në varrezat e Rrmajit në Shkodër, hedh poshtë deklarimet e Kryeministrit Edi Rama se ai ka qenë atë ditë i pranishëm.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në ceremoninë e organizuar në Shkodër për nder të 25-vjetorit të meshës së parë, pas rënies së diktaturës se kishte qenë më 4 nëntor të 1990 mes 300 vetëve në meshën e parë.

“Rasti e deshi që unë të vij këtu sot si Kryeministër. Por, do të isha këtu sot edhe nëse nuk do të isha Kryeministër. Si njëri prej atyre 300 vetëve që në 4 nëntor të 25 viteve më parë kam qenë këtu. Kam qenë këtu bashkë me disa miq. Jemi nisur shumë herët me tren nga Tirana pasi na kishte mbërritur fjala që Dom Simoni i madh do të bënte një meshë. Dhe nëse nuk do të kisha qenë këtu bashkë me 300 vetë të tjerë që janë dëshmitarë të asaj dite, nuk do të kisha pasur kurajën që të kujtoja një moment të asaj Meshe, sepse me siguri do të më merrnin për të marrë. Kujtoj se atë ditë ka qenë një kohë shumë e vrenjtur, krejtësisht e mbuluar kjo varrezë nga retë, rrethuar matanë rrugës së hyrjes nga njerëz të sigurimit dhe policisë së asaj kohe dhe pikërisht gjatë fjalës së Dom Simonit, është hapur qielli dhe një rreze drite ka rënë mbi këto varreza”, ka kujtuar Rama në ceremoninë e mbajtur këtë të mërkurë.

Por Gjoni deklaron se nuk është e vërtetë se Rama ka qenë më 4 nëntor, ndërsa thotë se Kryeministri mund ta ngatërrojë me meshën e madhe të 11 nëntorit 1990. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Zef Gjoni, sot trajneri i skuadrës së Vllaznisë në boks, tregon me detaje se si Dom Simoni mbajti meshën e fshehtë në varreza dhe si qëndroi i fshehur 1 javë deri në meshën e madhe, kur ishin të pranishëm 50 mijë veta.

Zoti Gjoni, e kujtoni Kryeministrin më 4 nëntor të 25 viteve më parë në meshën e mbajtur në varreza?
Jo, më 4 nëntor Edi Rama nuk ka qenë në varrezat e Rr’majit sepse për atë meshë nuk e ka ditur askush, pasi ka qenë pothuajse tërësisht rastësore. Unë nuk gënjej.

Kryeministri tha një ditë më parë në fjalën e tij se ka qenë një ndër personat që morën pjesë në meshën e parë katolike. Pse ndodhi kjo sipas jush?
Ndoshta e ka ngatërruar. Ai më ka thënë mua se ka qenë më 11 nëntor kur është bërë mesha e madhe, por me 4 jo. Unë doja t’i thosha se më 4 nuk ke qenë, por nuk munda të flas me të pas fjalës që mbajti. Më 4 nëntor ka qenë e improvizuar rastësisht, sepse ka qenë dita e purgatorit dhe ka ardhur Dom Simon Jubani i vetëm

Rama tha që ka qenë aty mes 300 personave?
Jo, jo. Si fillim, njëherë nuk kanë qenë 300 persona, mund të kenë qenë atë ditë 50-­60 veta dhe jo më shumë. Ka qenë një ditë e zakonshme ku pak persona kanë qenë në varreza. Nuk kanë qenë 300 veta dhe nuk ka qenë as Edi Rama, se nuk ka pasur nga ta dijë sepse nuk e kemi ditur as ne vetë se do të vijë Dom Simoni për t’u lutur e për të mbajtur meshë. Një ditë kur ta takoj do t’i them Ramës që më 4 nëntor nuk ke qenë aty

Ka ardhur herë të tjera Rama apo vetëm më 11 nëntor?
Ka ardhur në varrimin e Dom Simon Jubanit kur ka qenë kryetar i PS për të respektuar Dom Simonin.

Ju si e kujtoni atë ditë, 4 nëntorin 1990?
Ka qenë diçka e papritur për të gjithë ne. Nuk kemi pasur dijeni. Unë kam qenë diku në qytet, duke ndenjur me Marin Shestanin dhe Tonin Marin. Kemi dëgjuar fjalë personash atë ditë se në varrezat e Rrmajit do të vinte një prift. Unë Dom Simon Jubanin e kam njohur përmes vëllait tim, Ndoc Gjonit, me të cilin ka bërë 10 vite në burgun e Burrelit dhe aty vëllai im ka mësuar italishten nga Dom Simoni. Kur dëgjuam se do të vijë një prift, kemi shkuar te varrezat. Kur ka ardhur Dom Simoni, e kemi njohur dhe i jemi afruar te kisha e varrezave. Aty ka kërkuar një tavolinë. Mark Marana, shoferi i ambulancës që kishte shtëpinë afër, ka shkuar dhe ka marrë tavolinën. Kur e kanë parë se ka ardhur u mblodhën njerëzit që ishin ndër varreza. Dom Simoni ndezi një qiri dhe ka mbajtur një meshë të improvizuar krejt rastësisht për shpirtrat e njerëzve.

Si u lidhët ju me Dom Simon Jubanin?
Dom Simoni mori të largohej bashkë me një burrë të vjetër pas meshës së 4 nëntorit. Unë e kam ndaluar dhe i kam thënë se jam vëllai i Ndoc Gjonit. Aty më njohu pastaj. Në ato momente më tha se pas një jave do kremtojmë meshën e madhe, ndaj merrni masat për t’u organizuar. Janë angazhuar familja Temali, Bardeli, Çekini, Sermi, Livadhi, Lekajve, Kaceri dhe disa të tjera, që u kërkoj falje se mund t’i kem harruar. Pasi jemi mbledhur, ka filluar puna. Kemi pasur një ndihmë shumë të madhe nga myslimanët, duke nisur që nga Murat Lekniqi, Ibrahim Bilali, Dush Lluja, Eljaz Guri e shumë të tjerë. Na kanë ndenjur gati me çdo gjë.

Si ia dolët duke marrë parasysh që sistemi nuk kishte rënë ende?
Ne organizatorëve, mua, Rrok Bardelin, Tonin Temalin, Kolë Çekinin, Kolë Begen, Kolec Sermin e ndonjë tjetër na kanë thirrur disa herë për të shkuar në hetuesi ato ditë dhe për t’u marrë në pyetje, por nuk kemi pranuar asnjëri prej nesh. Ishim të vendosur. Vinte policia shpesh në shtëpitë tona, por nuk na gjenin. Ne kemi lëvizur gjatë gjithë kohës dhe nuk kanë mundur që të na kapnin.

Ku keni ndenjur nga data 4 deri më 11 nëntor 1990?
Edhe në varreza. Pjesën më të madhe kemi fjetur në varreza. Kemi ndezur zjarre, sepse ka qenë ftohtë. Zona ku ishin vagonët e stacionit të trenit, ka qenë e rrethuar me gardh e tela me gjemba. Ne ishim përgatitur me të gjitha mundësitë tona për të rezistuar. Ne ishim të vendosur për të mos u ndalur. Si grup organizator kemi qenë rreth 10­15 veta dhe dëgjoheshin më të mëdhenjtë dhe kishte mirëkuptim dhe afrimitet mes nesh. Nuk kishim organizator ndonjë intelektual, por ishim ne të rinjtë, me vendosmërinë tonë që ia arritëm qëllimit.

Ku është fshehur për 1 javë Dom Simon Jubani?
Dom Simoni ka lëvizur në shumë shtëpi. Tri netët e fundit ka ndenjur në një shtëpi në lagjen “Kiras” (periferi e Shkodrës) te një familje katolike malësorësh. Djali i shtëpisë vinte dhe kontaktonte me ne. Na thoshte ky djali që Dom Simoni ka thënë që të mos vini te shtëpia ku jam se mos ju ndjekin Sigurimi dhe kishte frikë se zbulohej se ku qëndronte. Ditën e fundit, pra më 11 nëntor 1990, kam shkuar unë bashkë me atë djalin e shtëpisë dhe e kam marrë. Kam shkuar te taksitë e qytetit. I kam thënë Dolf Guraziut për të shkuar dhe për të marrë Dom Simonin. Më tha mos më vër në pozitë se më heqin nga puna. I thashë që ti do të vish. Më tha shko e merr një kupon gjoja për të shkuar te materniteti. Kam prerë kuponin dhe më pas ka ardhur me mua. Kemi marrë Dom Simonin atje ku qëndronte dhe kemi ardhur deri në lagjen “Rus”. Aty Dolfi tha se nuk mund të ecë më. Jemi ulur. Unë kam dërguar atë djalin e ri te varrezat për të marrë të tjerët, sepse vendi ishte i rrethuar dhe kishim frikën e ndonjë spiuni. Dom Simoni u shqetësua pak sepse e kisha marrë herët, rreth orës 10:00, ndërkohë që mesha ishte në 12:00. Kemi qenë më shumë se 1 kilometër larg nga varrezat. Pastaj kanë ardhur një grup prej afro 100 të rinjsh. Kemi futur Dom Simonin në mes dhe të gjithë bashkë kemi ecur.

Po sikur t’i ndodhte diçka Dom Simonit, si do t’ia bënit?
Kishim një prift, si të them rezervë, Robert Ashta. Nuk ishte i njohur, por për çdo rast e kishim të gatshëm atë. Kur kemi shkuar te varrezat e Rrmajit kanë qenë shumë pak veta dhe Dom Simoni nuk ishte shumë entuziast, sepse thoshte pse më keni thirrë kaq herët. Pastaj u mor me punët e veta. Thoshte ku i kam rrobat. I kishte sjellë Fred Baba sepse kishte pasur në shtëpi mantelin e At Zef Pllumit dhe atë ditë, më 11 nëntor, ka veshur atë mantel të At Zef Pllumit, sepse nuk kishte tjetër. Më pas filloi duke u mbushur vendi.

Si ka mundësi që për dy orë, nga 10:00 deri në 12:00, janë mbledhur 50 mijë persona?
Është ditur se në orën 12:00 do të kremtohej mesha e madhe dhe njerëzit e kanë ditur. Kanë qenë të bllokuar të gjitha rrugët, të gjithë autobusët që shkonin në fshatra. Njerëzit kanë ardhur në këmbë sepse nuk kanë pasur se me çfarë të vinin. Më pas ka kremtuar meshën e parë të madhe, e cila bëri historinë e Shqipërisë.

(Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: