TIRANE- Emisioni “Njerëz në Fokus” me moderatoren Ola Bruko e kanë zhvendosur sot studion nga TV News 24 drejt burgut të Grave në Tiranë, për të dëgjuar nga afër historitë e disave prej tyre, përjetimet, dëshirat, pendesat që kanë dhe se çfarë presin të gjejnë jashtë kur të fitojnë lirinë.

Orjela Leshi, Liljana Boro, Fatbardha Gjoni e të gjitha gratë që vuajnë dënime nga më të ndryshmet kanë një dëshirë: Të dalin! E dinë që jashtë do paragjykohen, thonë se janë të vetëdijshme që nuk do gjejnë fusha me lule, por dashuria për njerëzit e afërt është më e madhe se çdo paragjykim.

Tek syte e tyre sheh gëzim, pasi kanë mundur të shohin një shfaqje në teatër. Secila prej tyre ka gjetur nga pak veten tek “Marta”, ndërsa apelojnë që drejtuesit e burgut t’i nxjerrin sa më shpesh në aktivitete të tilla që i bëjnë të harrojnë sadopak ‘të shkuarën’ e hidhur.

DËSHMIA 1
Ola Bruko: Pse je këtu?
D. Cara: Për trafikim lëndësh narkotike
Ola Bruko: Je penduar
D. Cara: Të gjitha jemi penduar…
Ola Bruko: Pse e bërë, si pasojë e shkaqeve ekonomike
D. Cara: Nuk them se e bëra të përmirësoj kushtet por janë disa arsyet që të shtyjnë të gabosh
Ola Bruko: Për çfarë të vjen keq?
D. Cara: Më vjen keq për familjen time
Ola Bruko: Si i ke lënë?
D. Cara: Asnjë prind nuk besoj se ndjehet mirë kur di që ka vajzën në burg
Ola Bruko: Gjëja e parë që do bëjë nëse do dilje?
D. Cara: Do ti kërkoja falje, do rikuperoja 4 vitet e humbura
Ola Bruko: A ke frikë se paragjykohesh?
D. Cara: Them që do ta kaloj edhe këtë

DËSHMIA 2
Ola Bruko: Përse akuzohesh?
Oriola Lleshi: Akuzohem për vrasje, kam kryer 3 vjet, jam dënuar me 16,8 vjet
Ola Bruko: Të shkuarën e ka lënë pas?
Oriola Lleshi: Them se po
Ola Bruko: Çfarë frike ke?
Oriola Lleshi: E di që s’do na presë fushë me lule, paragjykimi është një njollë që nuk hiqet lehtë. Kam një djalë 5 vjeç…
Ola Bruko: Ku do të pëlqente të shkoje?
Oriola Lleshi: Kam një djalë 5 vjeç…dua të jem pranë tij

DËSHMIA 3 – Liljana Boro

Liljana Boro: Unë dua ta falenderoj drejtoreshën që ngre zërin për të na mbrojtur. U bëj thirrje instancave të shtetit, do e quaja grua të hekurt.
Ola Bruko: Për pak ditë zonja Jaka bën 1 vit në krye të detyrës, cfarë ka bërë përgjatë këtij viti?
Liljana Boro: Punë të shkëlqyer, ka organizuar shumë aktivitete, sidomos me shoqatën kristiane që na ka ndihmuar jashtë mase, me ndihma me komunikim, kemi ndjerë ngrohtësi të madhe me ata.
Ola Bruko:E patë Martën ju? (shfaqje teatrale)
Liljana Boro: Do falenderoj grupin e punës që bëri të mundur të shkojmë ne atje. Falenderoj zonjën Ori Kuçi që i mban premtimet që bën, edhe ministrin e Drejtësisë, drejtorin e përgjithshëm të burgjeve. Unë atë ditë jam ndjerë me lot në sy, shumë emocione, jam ndjerë e lirë në atë sallë, falënderoj shefen e policisë që ka treguar mirësi. Kemi qenë të lira atë ditë atje.
Ola Bruko: Përjetimi personal?
Liljana Boro: U ndjeva e lirë, u ndjeva Marta, çdo grua në jetën e përditshme në Shqipëri është Marta. Kur femra është me burrin në Shqipëri, burri e sheh si pronën e vet. Femra këtu është e nënshtruar, kur gabon shtypet më shumë edhe nga shoqëria. Më pëlqeu një pjesë kur babai takoi Martën. Babai tha duhet të martohej me Prokurorin që të shpëtonim. Shiko në çfarë realiteti jetojmë.
Ola Bruko: A keni qenë pjesë e këtij realiteti?
Liljana Boro: Po. Kam qenë, se po mos kisha qenë s’do kisha arritur këtu
Ola Bruko: Cfarë do bëni kur të dilni?
Liljana Boro:  Kur kemi bërë një vepër penale jemi gjykuar për atë moment. Dhe ai moment ka bërë bujë në shoqëri.. E pranoj që është e rëndë, por unë jam një nënë e shkëlqyer e tre fëmijëve. Dhe kjo harroet nga të tjerët. Çdo gjë fshihet nga jeta, çdo e mirë që kemi bërë deri tani. Unë nuk dua ta kujtoj momentin e keq , sepse unë nuk jam ajo. Unë jam ajo që kam qenë para krimit. Ne jetojmë me dhimbje , dhimbja na është bërë pjesë e jetës. Jemi aq të penduara sa nuk kam fjalë. Jo vetëm unë, por të gjitha jemi të penduara, sepse jemi nëna.

DËSHMIA 4 –  Fatbardha Gjoni
Ola Bruko:Doni ta publikoni veprën ?
Fatbardha Gjoni: Jo nuk dua ta publikoj, me këtë panel që jam këtu dua ta harroj atë pjesë, pavarësisht se do të më ndjekë tërë jetën. Nuk dua ta kujtoj
Sa je dënuar?
Fatbardha Gjoni:12 vjet, kam dhe 1 vit e gjysëm. Kam 4 vite këtu
Ola Bruko:Për çfarë të merr malli më shumë?
Fatbardha Gjoni:Për çdo gjë të merr malli këtu. Edhe ajri nuk të vjen sic i vjen çdo njeriu. Unë dua ta falënderoj drejtoreshën pavaësisht se ajo thotë mos më përmendni, por nuk rrimë dot pa e përmendur pasi na ka përkrahur shumë.
Ola Bruko:Si e ndjenit shtypjen? Kur u ndjetë si Marta?
Fatbardha Gjoni:Kur kryen vepër penale duhet t’i bindesh vetes tënde. Mua më ndoqi shumë ajo pjesë. Aty e kuptova që jam një Marta.
Ola Bruko:Ke dalë ndonjëherë nga burgu?
Fatbardha Gjoni:Po, më kanë dhënë dhe leje 7 ditë. Ti nuk di si t’i shfrytëzosh ato ditë, duke ditur që do kthehem prapë në burg. E kaloj me familjen, me njerëzit që më duan. Janë merita e familjes që më duan aq fort.
Ola Bruko:Ke ndonjë projekt për jetën pasi të dalësh?
Fatbardha Gjoni:Nuk e di çfarë mundësie do kem. Kam bërë një kurs profesional si parukiere pavarësisht se nuk kam punuar gjatë.
Ola Bruko:Do ta kesh të vështirë për të gjetur punë pasi të dalësh?
Fatbardha Gjoni: Sigurisht që do ta kem

DËSHMIA 5 – Yllka Metushi

Ola Bruko: Sa vite keni këtu?
Yllka Metushi: Jam dënuar 12 vjet, kam 3 vjet që vuaj dënimin. Nuk dua ta them krimin që kam bërë, pasi i përket të kaluarës.
Ola Bruko:Si i kaloni ditët këtu?
Yllka Metushi: Me shoqet duke biseduar, duke folur për mungesën e familjes, kam dy vazja që më vijnë më takojnë kur kanë mundësi.
Ola Bruko:Keni dalë ndonjëherë me leje?
Yllka Metushi: Jo
Ola Bruko: Për çfarë keni frikë kur të dalësh?
Yllka Metushi: Do jem e paragjykuar. Ne dhe pa bërë gjë jemi të paragjykuara për çdo veprim, jo më të jesh në burg
Ola Bruko:Po vajzat ndihen të paragjykuara nga ju?
Yllka Metushi:  Po besoj se po por nuk ma thonë
Ola Bruko:  Po Martën e patë?
Yllka Metushi: Jam emocionuar shumë. Çdo femër shqiptare është pak Marta. Falenderoj drejtoreshën që gjen hapësira që të ndjejmë liri, që të ndjehemi grua.

(ma.ar/e.f/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb