Dosja e SPAK e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala ka hedhur në ngjarjet që kanë tronditur vendin ndër vite.

Vrasja e trefishtë e ndodhur në vendin e quajtur Bradashesh-Elbasan tronditi jo pak vendin.

Kujtojmë se në një automjet ‘LandRover’ me ngjyrë të zezë me targa AG-71EYP u gjetën kufomat e tre shtetasve.

Në sediljen e pasagjerit përpara  u gjet kufoma e shtetasit turk Erdal Duranay.

Gjithashtu nga u gjet edhe kufoma e shtetasit Arben Dylgjeri dhe nga këqyrja u evidentuan dy vrima nga faqja e djathtë me dalje në faqen e majtë., po ashtu edhe dëmtim në kofshë në bark dhe shputat e këmbës.

Kufoma tjetër e gjetur ishte ajo e shtetasit Endrit Alibej, ku nga këqyrja janë evidentuar plagë plumbi në bark, në ijë dhe në kofshë.

Ndërsa nga këqyrja e kufomës së shtetasit turk Erdal Duranay janë evidentuar 15 vrima hyrëse plagë me armë zjarri.

Por çfarë kanë kapur kamerat ?

Këqyrja e pamjeve filmike me procesverbalin e datës 04.01.2019. Viktimat Erdal Durunay dhe Endrit Alibej më datë 29/12/2018 nga ora 13.20 deri në orën 14.23

Viktimat kanë qenë bashkë në këtë lokal dhe këtu E. Alibej ka këmbyer me një person të paidentifikuar një aparat celular.

Me procesverbalin e datës 06/01/2019 janë marrë dhe administruar pamjet filmike në CD të datës 29/12/2018.

Këqyrur pamjet filmike me procesverbalin e datës 6/3/2019.

Në orën 15.10 të datës 29/12/2018 mjeti me targa AG71EYP ka lëvizur me drejtim Elbasan Peqin.

Në orën 20.48 është kapur nga pamjet e kësaj kamerë një mjet me ngjyrë gri (nuk identifikohet as si tip dhe as targa e tij), me drejtim Elbasan- Peqin që qëndron në krahun verior të rrugës me sinjale të ndezura.

Ky mjet në një moment, (vetëm pas disa sekondave nga qëndrimi aty) futet në rrugë me drejtim për nga erdhi pikërisht në momentin kur një makinë që lëvizte në të njëjtin drejtim me makinën e viktimave (Peqin-Elbasan) dhe këtu manovra e drejtuesit ishte ajo e daljes në rrugë përpara makinës së viktimave dhe vazhdimi i rrugës duke detyruar mjetin e viktimave të ecte me ngadalë (mjeti që ka kryer këtë manovër nuk identifikohet).

Gjithashtu figuron se 2 minuta pas shfaqjes së mjetit të viktimave (20.50) shfaqet një mjet tjetër (në dukje si tip mercedez benz ngjyrë gri) me drejtim lëvizje Peqin-Elbasan me shpejtësi shumë të lartë (dyshohet mjeti i autorëve).

Lidhur me faktin penal të vrasjes së trefishtë nga ana e prokurorisë në kërkesën për caktimin e masës së sigurimit personal arsyetohet se: Një nga personat e dyshuar si bashkëpunëtor në kryerjen e veprave penale të vrasjes së shtetasve Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi Turk Erdal Duranay është shtetasi Mikael Qosja.

Në hetim rezulton se, shtetasi Mikael Qosja i biri i Kristaqit, dtl. 14/08/1986, është banor i qytetit të Elbasanit Rruga “Ahmet Burburia”, Nd.2, H 1.

Ai është në lidhje shoqërore me shtetasit Hajdar Bako, Franc Gergely dhe Ervin Hysa, këta të fundit banor të rrugës “Demir Sula” të qytetit të Elbasanit dhe në lidhje të vefate vëllezër me njëri tjetrin.

Fakti i lidhjes shoqërore të tij me vëllezërit, provohet dhe me deklarimin e shtetasit Erjon Alibej (vëllai i viktimës Endrit Alibej), tabulatet telefonike të numrave në përdorim të tyre, (përdorimi i numrave që rezultojnë në tabulatet është deklaruar prej vete Mikaelit dhe Hajdarit), si dhe këqyrjes së sistemit të gjobave (në policinë e shtetit) të automjetit tip BMV X6 me targa AA011VN.

Para dhe pas ngjarjes shtetasi Mikael Qosja ka përdorur automjetin tip BME X6 me targa AA011VN, me ngjyrë të bardhë, me disqe alumini, me xhama të zinj dhe baxha, fakt ky i provuar me deklarimin e tij (pv datë 15/05/2019), deklarimin e shtetasit Erion Alibej (pv datë 02/10/2020), si dhe procesverbalin datë 22/05/2019 të sistemit të gjobave në policinë e shtetit.

Automjeti i mësipërm figuron në pronësi të shtetasit Florian Lila banor i qytetit të Tiranës.

Ky shtetas para dhe pas ngjarjes ka përdorur numrin e telefonit 0698117779 provuar me shkresën nr. Frs 3274, datë 27.09.2019 të kompanisë dhe deklarimin e vetë këtij shtetasi me pv datë 15/05/2019.

Automjeti i mësipërm është i identifikuar në vendin e ngjarjes (objekt hetimi), pasi rreth 10 min para ekzekutimit ka kaluar në rrugën Elbasan – Peqin, në vendin e ekzekutimit, duke bërë një kthim të papritur në rrugën e vjetër Peqin Elbasan, pikërisht në një rrugë ku ka pak lëvizje mjetesh (rrugë e dëmtuar ku kalojnë rreth 2-3 mjete në orë) dhe ku është identifikuar kthimi me shpejtësi i mjetit të ekzekutorëve menjëherë pas ngjarjes, ky fakt provohet dhe me këqyrjet e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë (subjekteve përgjatë rrugës ku kanë lëvizur autorët), analizën e tabulateve dhe qelizat të antenave të komunikimeve të shtetasit Mikael Qosja me shtetasin Emiljano Ramazani (ky person nuk është pyetur në hetimin paraprak).

Edhe shtetasi Emiljano Ramazani ka qenë banor i qytetit të Elbasanit (është vrarë në qytetin e Elbasanit në ngjarjen e datës 20/07/2020) ka qenë në lidhje shoqërore me shtetasin Mikael Qosja, fakt ky që rezulton nga bisedat telefonike (para dhe pas ngjarjes së datës 29/12/2018).

Gjithashtu rezulton se shtetasi Mikael Qosja është në lidhje të veçantë me shtetasin Ergys Runaj i vrarë pas ngjarjes objekt hetimi në qytetin e Elbasanit (datë 29/07/2020)

Është fakt se, menjëherë pas ngjarjes me mjetin që përdorte shtetasi Mikael Oosia kalon në rrugën e ndjekur nga autorët e vrasjes, por këtë fakt e mohon, duke pohuar se nuk ka dalë fare nga qyteti dhe pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në banesën e vëllezërve Çopja (Franc Gergely dhe Hajdar Bako, të cilëve ju kishte vdekur babai).

Ky shtetas deklaron se kontaktet e tij ditën e ngjarjes kanë qenë me shtetasin Ervis Çopja dhe menjëherë pas ngjarjes me shtetasin Erion Alibej (ky i fundit menjëherë pas njoftimit të vrasjes duke lëvizur në bulevardin e qytetit me një automjet Benz S Clas i ka kërkuar një, hekur, armë ).

Gjithashtu rezulton se, shtetasi Mikael Qosja në deklarimin e tij është kontradiktor me deklarimin e shtetasit Hajdar Bako , pasi ky i fundit pohon se ditën e ngjarjes Mikaeli , para se të ndodhte ngjarja, është takuar me Erion Alibej dhe ky i ka thënë që do të shkonte për ngushëllim tek Hajdari, por këtë takim Mikael Qosja nuk e deklaron duke pohur vetëm se e ka takuar Erionin pas njoftimit të marrë për ngjarjen.

Vlerësohet se, për shtetasin Mikael Qosja, nga kontaktet e para ditën e ngjarjes dhe pas ngjarjes me shtetasin e vrarë Emiljano Ramazani dhe shtetasin Eljo Nazmi Bitri krijohet dyshim i bazuar për bashkëpunimin e këtij shtetasi me autorët e ngjarjes.

Nga këqyrja në sistemin TIMS me të dhënat e shtetasve Mikael Kristaq Qosja dhe Eljo Nazmi Bitri, rezulton se të dy këta shtetas kanë të evidentuar në sistem në rubrikën “Njoftim në kuf” të dhënën për një vjedhje me armë të ndodhur më datë 23.03.2018 nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

Nga këqyrja në sistemin Tims rezulton se shtetasi Hajdar Bako të ketë dalë jashtë territorit të vendit që më datë 06.02.2020, shtetasi Mikael Qosja, ka dalë që më datë 18.09.2019, shtetasi Elio Nazmi Bitri ka dalë që më datë 22.10.2020, të tre këta shtetas nuk rezulton të jenë futur përsëri brenda territorit nëpërmjet pikave të kalimit kufitar.

Në ngarkim të personit nën hetim Mikael Qosja ekziston dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se ai ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 79/dh, 25 të K.Penal.

Ky shtetas është aktualisht në kërkim ndërkombëtar pasi për ngjarjen objekt i këtij hetimi është caktuar ndaj tij masa e sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Nga hetimet rezulton se vepra penale e vrasjes me dashje të paramenduar të kryer në bashkëpunim ndaj shtetasve Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe Erdal Duranay janë kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Nga të dhënat e deritanishme të hetimeve, të lidhura me të dhënat e disa procedimeve penale të tjera, rezulton dyshimi se autorët e kësaj ngjarje kanë vepruar në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal.

Nga hetimet e kryera deri më tani, dyshohet se njëri prej autorëve është i hetuari Mikael Qosja i cili ka bashkëpunuar edhe me shtetas të tjerë, për të cilët vazhdojnë hetimet, është e nevojshme që gjykata kompetente të caktojë masë sigurimi personal “arrest në burg” për veprat penale të parashikuara nga nenet 79/dh, 284, 333/a, 334 të Kodit Penal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: