Sebastião Salgado, i konsideruar si një nga fotografët dokumentarë më të mëdhenj në botë, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Fotografi me origjinë braziliane ishte i njohur për imazhet e tij dramatike bardh e zi, që pasqyronin vuajtjen, konfliktin dhe bukurinë natyrore, të kapura në 130 vende gjatë një karriere 55-vjeçare.

Fotot e tij tronditëse dokumentuan ngjarje madhore globale si gjenocidi në Ruandë në vitin 1994, fushat naftëmbajtëse të djegura në përfundim të Luftës së Gjirit në 1991 dhe uria në rajonin Sahel të Afrikës në vitin 1984.

“Objektivi i tij e zbuloi botën dhe kontradiktat e saj; jeta e tij tregoi fuqinë e veprimit transformues,” thuhet në një deklaratë nga Instituto Terra, organizata mjedisore që ai themeloi së bashku me bashkëshorten e tij, Lelia Uanick Salgado.

Disa nga fotografitë më të fuqishme të Salgados u realizuan në vendlindjen e tij, përfshirë imazhe epike të mijëra njerëzve të dëshpëruar që punonin në miniera të hapura ari dhe portrete mbresëlënëse të popujve indigjenë të Amazonës. Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, i bëri homazh duke e përshkruar Salgadon si “një nga fotografët më të mirë… që na ka dhënë bota.”

Projekti i fundit i madh i Salgados, Amazonia, theksoi bukurinë dhe brishtësinë e pyllit tropikal. Një mbrojtës i përjetshëm i popujve indigjenë të Amazonës, Salgado dokumentoi jetën e përditshme të dhjetëra fiseve të shpërndara nëpër pyll – nga gjuetia dhe peshkimi, te vallëzimet dhe ritualet.

Ruanda1
Ruanda1
Fotografi2
Fotografi2

Ai kaloi shtatë vjet në një udhëtim fotografik ambicioz, duke eksploruar cepa të largët të pyllit të Amazonës dhe duke dokumentuar banorët e tij. Projekti u përmbyll me një ekspozitë që përfshinte mbi 200 imazhe bardh e zi, duke ofruar një vështrim prekës në peizazhet dhe komunitetet e rajonit.

Ekspozita Amazonia u shfaq në Muzeun e Shkencës në Londër dhe në Muzeun e Shkencës dhe Industrisë në Manchester në vitet 2021 dhe 2022. “Ndonjëherë e pyes veten, ‘Sebastião, a ishe vërtet ti që shkove në të gjitha këto vende?’” tha ai në një intervistë vitin e kaluar. “A isha vërtet unë që kalova vite duke udhëtuar në 130 vende të ndryshme, që hyra thellë në pyje, në fushat e naftës dhe në miniera?

“Dreqi ta hajë, vërtet kam qenë unë që kam bërë gjithë këtë. Ndoshta jam një nga fotografët që ka krijuar më shumë vepra në historinë e fotografisë”, kishte thënë ai pak përpara se të ndërrojë jetë./BBC/

(d.xh-Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb