Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën për bllokimin e punës së Kuvendit për një periudhë prej 11 muajsh, gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare të thirrur për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër marrëveshjeve politike, por kundër “pazareve politike” mes partive. Sipas tij, kompromisi i vërtetë duhet të bazohet në respektimin e rezultatit zgjedhor dhe përgjegjësisë institucionale.
“LVV ka 51.1 për qind të përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, por jo 100 për qind”, tha Kurti, duke shtuar se fakti që një parti ka më pak deputetë nuk e përjashton nga përgjegjësia.
Ai kritikoi LDK-në dhe PDK-në për mungesë iniciativash konkrete dhe për, siç u shpreh, heshtje ndaj ftesave për bashkëpunim.
Kurti tha se LVV ka bërë përpjekje për zgjidhje duke ftuar krerët e partive opozitare dhe duke propozuar dialog, por sipas tij, opozita nuk ka paraqitur asnjë emër apo propozim për president.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi gjithashtu se ka përfunduar afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe paralajmëroi se dështimi për arritjen e një marrëveshjeje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat do të ishin të pestat brenda 16 muajve.
Opozita, nga ana tjetër, e ka akuzuar qeverinë dhe Kurtin për propagandë dhe për shfrytëzim politik të procesit të zgjedhjes së presidentit.
