Një qytetar pjesëmarrës në protestën kundër qeverisë u ka bërë thirrje të hapur të gjithë shqiptarëve që t’u bashkohen tubimeve, duke paralajmëruar se vendimet politike që po merren sot do të kenë pasoja të rënda për të ardhmen e secilit.

Duke iu referuar debatit të ndjeshëm për reformën e re administrativo-territoriale, ai theksoi se reagimi dhe kundërshtimi nuk duhet të kufizohen vetëm te qytetarët e bashkive që rrezikojnë të shkrihen.

Në mënyrë të veçantë, protestuesi u ndal te punonjësit e administratës publike, të cilëve u kërkoi të kapërcejnë frikën dhe të ngrenë zërin për të ardhmen e familjeve të tyre.

Mesazhi i qytetarit gjatë protestës: “Suksesi ka një autor, por dështimi këtu në Shqipëri ka ngelur jetim. Pyetja pse vazhdon kjo protestë është se kush vendos dhe kujt i jepet llogari!

Sot protesta po ndodh këtu, dje ndodhi në Poliçan, por mos harroni se me këto bashki që po shkrihen apo me këto gjëra që po na ndodhin, nesër mund të jetë radha e pronës tuaj! Mos harroni, dilni dhe protestoni!

Kur kanë ndodhur protestat e mëdha, ato që kanë tundur themelet kanë ndodhur sepse pushteti nuk e justifikonte më veten e tij. Sot jemi njerëz të shtypur. Ju njerëz që punoni në administratë: dilni, sepse jeni ju që do të vuani nesër e pasnesër të ardhmen e fëmijëve tuaj!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb