Protesta e lajmëruar një ditë më parë në rrjetet sociale ku, u bëhej thirrje qytetarëve të Korçës të bashkoheshin kundër pranisë së Goran Bregoviç në festën e birrës, rezultoi një dështim.

Organizatorë të protestës së thirrur nga një grup i vetëquajtur në “Facebook” “patriotët korçarë”, ishin deputetët më të përfolur të këtij parlamenti për lajthitjet dhe gafat e tyre qesharake, Kujtim Gjuzi dhe Selami Jenisheri.

Në protestë morën pjesë vetëm 2 miqtë e tyre të cilët me një pankartë në duar iu drejtuan pedonales së qytetit në formë të heshtur. Askush nga qytetarët e Korçës, nuk iu bashkua kësaj “shëtitje” të Kujtim Gjuzit me shokët e tij.

“Gregor Bregovic nuk je i mirëpritur në festën e Birrës”, ky ishte shkrimi i pankartës qe mbanin në duar protestuesit, që me siguri kanë dashur të shkruajnë Goran Bregovic.
Qytetarët e refuzuan protestën, ndërsa ata që rastësisht ndodheshin në qendër të qytetit këtë paradite te diele, u shprehën se arti nuk duhet të ngatërrohet me politikën dhe se do të marrin pjesë në festën e birrës që është një ngjarje e rëndësishme për qytetin. Sipas tyre, protestuesit, nuk përfaqësojnë qytetarët dhe qytetin e kulturës, jo vetëm për shkak të numrit qe nuk arrin as gishtat e njërës dore, por edhe për kulturën e mendësinë.
Në mes të debatit virtual të nisur prej disa ditësh, bashkia e Korçës bëri të ditur për News24 se Goran Bregovic do të performojë në datë 22 gusht, natë e cila do të kulmojë festën e birrës.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb