Një shtetas ende i paidentifikuar ka tentuar sërish të kryejë grabitje në Shkodër, vetëm pak minuta pas përpjekjes së dështuar në filialin e Postës Shqiptare në lagjen “Vasil Shanto”. Rreth orës 19:15, i njëjti person është futur në një market në sheshin “Prek Cali”, duke tentuar të marrë me forcë një shumë parash, por është larguar pa arritur qëllimin dhe pas një konflikti me punonjësin.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren, ndërkohë që grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin ligjor të të dyja tentativave.
Rasti i parë kishte ndodhur rreth orës 19:00, kur i njëjti shtetas kishte hyrë në Postën Shqiptare dhe kishte tentuar të merrte me forcë një shumë monetare, duke thyer xhamin e sportelit gjatë largimit, por pa sukses.
Shkodër / Informacion shtesë.
Rreth orës 19:15, në sheshin “Prek Cali”, dyshohet se i njëjti shtetas që tentoi të marrë një shumë parash në filialin e Postës Shqiptare është futur dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë parash në një subjekt tregtar (market), duke u konfliktuar me punonjësin e këtij subjekti dhe është larguar pa marrë shumën e parave.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren, ndërkohë që grupet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë po kryejnë veprime në të dyja rastet, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
