ELBASAN

Një 24-vjeçar është qëlluar për vdekje në Elbasan, ndërsa vëllai i tij ka mbetur i plagosur. “BalkanWeb” mëson se viktimë e atentatit ka mbetur shtetasi i identifikuar si Klevi Baho 24-vjeç. Sipas burimeve  policore 24-vjeçari ka humbur  jetën në vend nga breshëria e plumbave.

Ndërkohë i plagosur ka mbetur vëllai i viktimës i identifikuar si Sandër Baho 30-vjeç, i cili dyshohet të ishte edhe shënjestra e atentatit. Të dy vëllezërit po udhëtonin së bashku me një makinë tip “Audi” në aksin rrugor Peqin-Elbasan, ndërsa disa persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri ndaj dy vëllezërve duke i marrë jetën të riut.  Gazetari Fatmir Popja raporton se viktima kishte pak ditë që kishte lënë burgun në Itali. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Broshkë.

Burime nga spitali pohojnë se 30-vjeçari ka marrë tre plumba në pjesën e shpatullës, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën  dhe po mbahet në kujdes intensiv nga mjekët. Ata po iknin për në shtëpi në momentin kur u është zënë pritë dhe u qëlluan me breshëri. Ende nuk ka një pistë kryesore mbi të cilën do ngrihen hetimet, por dyshohet se  atentati ka lidhje  me larje hesapesh.

Policia menjëherë pas ngjarjes ka ngritur postblloqe kontrolli në të gjitha rrugëkalimet për të identifikuar dhe kapur autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale ku një i ri humbi jetën dhe vëllai i tij mbeti i plagosur rëndë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb