Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i mbrëmjes së të dielës në Rrilë të Lezhës.

Sipas burimeve, mësohet se 21-vjeçari Merando Nikulaj, shënjestra e atentatit, ka shkuar në Berberhane, në shoqërinë e efektivit të patrullës së përgjithshme, Besart Kovaçi, i ndaluar për moskallëzim krimi.

Në armën e policit ka patur 15 plumba dhe në pistoletë janë gjetur 5 plumba, pra ka qëlluar 10 herë.

Nga verifikimet e grupit hetimor në vendngjarje, dyshohet edhe për një armë të tretë, për të cilën kanë nisur hetimet.

Dyshohet se Nikulaj ka mbetur i plagosur, por nga kërkimet dhe në klinika private, nuk është gjetur, duke u shpallur kështu në kërkim policor për t’u marrë në pyetje për ngjarjen e sotme.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën e Rrilës në Lezhë, ku një berberhane u qëllua me breshëri plumbash, duke lënë të plagosur pronarin e saj, 30-vjeçarin Sokol Daci.

Brenda ndërtesës janë gjetur 16 gëzhoja pistolete, nga të cilat 5 në krehër dhe 10 të qëlluara, që dyshohet se i përkasin armës së përdorur nga punonjësi i policisë.

Një gëzhojë tjetër ka ngritur dyshime për përdorimin e një arme të dytë nga brenda ambientit, çka e bën situatën të ngjashme me një përplasje të armatosur. Praktikisht, zona përreth berberhanes është shndërruar në një fushë zjarri.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dy automjete tip “Audi” dhe “Passat”, të cilat ndalojnë pranë sallonit. Nga to zbresin 7 persona, dy prej të cilëve të armatosur me kallashnikov. Në drejtim të berberhanes janë qëlluar mbi 30 plumba, tre prej të cilëve kanë plagosur Sokol Dacin.

Policia dyshon se Merando Nikulaj mund të jetë plagosur, pasi në pamjet filmike ai shihet duke u larguar me vështirësi. Deri më tani, ai nuk është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërsa po zhvillohen kontrolle në banesa dhe biznese për lokalizimin e tij.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rolit të çdo personi të përfshirë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb