Grupi parlamentar i PS po zhvillon mbledhje këtë të hënë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
News24 mëson detaje nga fokusi i diskutimeve në këtë mbledhje.
Gazetari i News24, Ergys Gjençaj raportoi për BalkanWeb se socialistët do të vijojnë punën me komisionet e Reformës Zgjedhore dhe atë Territoriale, pavarësisht asaj që paralajmëroi kreu i PD, Sali Berisha.
“Puna në dy komisionet e posaçme parlamentare të reformës territoriale dhe zgjedhore. Puna në dy komisionet do të vijojë agjendën e përcaktuar pasi nuk ka kohë për të humbur”, raportoi ai.
Qendrimi i PS vjen pas vendimit të Kryesisë së PD për ndërprerjen e bashkëpunimit me PS.
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi mazhorancën se “rrëmbeu” Avokatin e Popullit dhe se kjo ishte vija ndarëse mes dy kampeve politike.
Berisha tha se PD nuk do të bashkëpunojë me mazhorancën për asnjë nga reformat në proces. Ndërsa të hënën e 22 dhjetorit, PD ka njoftuar protestë kombëtare para Kryeministrisë, pas 4 foltoreve radhazi në të njëjtin vend, të cilat kanë qenë objekt kritikash për pjesëmarrjen e vakët dhe impaktin e papërfillshëm.
