Detaje të reja mësohen nga plagosja e ndodhur në Durrës, ku një person rreth 40 vjeç ka mbetur i plagosur me thikë.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, i plagosuri ishte në gjendje të dehur dhe është nxjerrë jashtë nga pronarja e një lokali ku ndodhej. Në momentin që ai po largohej nga ambientet e lokalit, një person tjetër, i cili ka ardhur nga krahu tjetër i rrugës, e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga policia. I plagosuri është transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku po merr ndihmën e parë mjekësore.
Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 21:00, në lagjen nr. 12 Durrës, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi I. Ll, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. G., 31 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuarit.
