Detaje të reja dalin në dritë pas operacionit policor “Fortesa”, ku u sekuestruan pasuri me vlerë 26.5 milionë euro të dyshuara si produkt i pastrimit të parave nga aktivitetet kriminale të Kristian Konit.

Gjatë detajeve të zbuluar përmendet edhe emri i Vesel Demirajt, pronar i Pelikani Security, i cili rezulton se ka pasur të bëjë me Konin në të shkuarën në veprime financiare të dyshimta për pastrim parash.

Sipas raportimeve bëhet e ditur se autoritetet hetimore po ndjekin me vëmendje një transaksion të dyshimtë për pasuri të paluajtshme në zonën elitare të Mulletit, ku rezulton i përfshirë shtetasi Kristian Koni.

Bëhet fjalë për Vilën nr. 2-B, me sipërfaqe ndërtimi 391.1 m², pjesë e kompleksit rezidencial në periferi të Tiranës, e pajisur me pishinë dhe 3 kate banimi. Pasuria në fjalë ka kaluar përmes një kontrate premtim-shitjeje mes shtetasve Vesel dhe Rezarta Demiraj (në cilësinë e shitësve) dhe shoqërisë “Kriol.Al” sh.p.k., e përfaqësuar nga Kristian Koni.

Kjo vilë, e porositur fillimisht nga Vesel Demiraj me një kontratë ndërtimi me çmim 808,000 euro, është rishitur me vonë për vetëm 300,000 euro, një diferencë që ka ngritur dyshime të forta për pastrim parash dhe përfshirje në veprime fiktive.

Detajet e kontratës së dyshimtë

Kristian Koni është përfshirë në transaksione të dyshimta për pasuri të paluajtshme të kategorisë vilë rezidenciale. Në veçanti, rezulton se ai zotëron pasurinë Vilë nr. 2-B, me përbërje 3 kate dhe sipërfaqe totale ndërtimi 391.1 m², e pajisur me pishinë, e ndodhur në zonën e Mulletit (Tiranë), pjesë e projektit rezidencial “Rolling Hills 2″.

“Sipas të dhënave të administruara, shtetasi në fjalë rezulton i përfshirë në disa transaksione me elementë anomalie, në fushën e shitblerjes së pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme”, thuhet në dosje. Rasti i blerjes për 300 mijë euro, të një vile me 3 kate dhe sipërfaqe totale ndërtimi 391.1 m², e pajisur me pishinë nga pronari i Pelicani Security, Vesel Demiraj, ka ngritur pikëpyetje të forta për autoritetet.

“Lidhur me historikun e kësaj pasurie, rezulton se pala premtuese-shitëse, shtetasi Vesel Demiraj, e kishte porositur këtë vilë nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes nr. 1440 rep. / nr. 1053 kol., datë 14.04.2021, të lidhur me shoqërinë “AS Construction” sh.p.k.. Sipas kësaj kontrate, çmimi i dakordësuar për pasurinë e sipërpërmendur ishte 808,000 euro, me pagesë në disa këste.

Fillimisht palët kishin rënë dakord që Koni do ta blinte vilën për 280 mijë euro. Në momentin e lidhjes së kontratës së premtim-shitjes me Kristian Konin, pala shitëse ende nuk kishte përfunduar likuidimin e detyrimeve për blerjen e kësaj pasurie”, thuhet në dosje.

Dhe më datë 18.03.2024, palët revokojnë kontratën me arsyetimin se pala premtuese e blerjes nuk kishte përmbushur detyrimet kontraktuale. Por pak më vonë nënshkruajnë një kontratë të re dhe Koni do ta blinte vilën për 300 mijë euro, dhe pagesa do të kryhej brenda 30 ditëve, kur Demiraj të pajisej me certifikate pronësie dhe Koni të shlyente çmimin e plotë të pasurisë.

Pasuria është blerë në emër të shoqërisë “Kriol.Al” sh.p.k., e administruar nga Kristian Koni. Në dosje thuhet se “shoqëria është përfshirë në një transaksion për blerjen e kësaj pasurie me një çmim dukshëm më të ulët (300,000 euro) se sa çmimi fillestar i porosisë nga Vesel Demiraj (808,000 euro).”

Pagesa sipas marrëveshjes parashikonte 202 mijë euro brenda 10 ditëve nga nënshkrimi i kontratës dhe 98 mijë të tjera në një ose disa këste dhe në momentin e nënshkrimit të kontratës përfundimtare. Sidoqoftë, vila i kalonte Konit që pas kryerjes së pagesës së 202 mijë eurove.

Po ashtu, në dosje evidentohet se Kristian Koni ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për shitblerje pasurish të luajtshme gjatë periudhës 2013-2024.

Kush është Vesel Demiraj?

Ai është babai i dy të rinjve që pak kohë më parë u qëlluan me armë në zonën e Lundrës, ngjarje që tronditi opinionin publik dhe për të cilën hetimet vijojnë ende.

Ende nuk dihet nëse kjo linjë po hetohet si pistë nga policia, pasi deri më tani autoritetet kanë deklaruar se shënjestra e sulmit në Lundër ishte ngatërruar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb