Funeralet papale bashkojnë liderët botërorë si asnjë ngjarje tjetër. Dhjetëra liderët e mbledhur sot në Vatikan do të ulen sipas rendit alfabetik të kombeve të tyre, në frëngjisht, gjuhën tradicionale të diplomacisë.
Kjo do të thotë se presidenti amerikan Donald Trump do të ulet mes liderëve të Estonisë dhe Finlandës, pasi SHBA-ja në frëngjisht është “États-Unis”.

Megjithatë, liderët e Italisë – vendi pritës, dhe Argjentina – vendlindja e Françeskut, do të kenë një vend krenarie.
Kuriozitet paraqet procesioni i Françeskut nga Vatikani në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë.
Si papë, Françesku largohej shpesh nga Vatikani, duke udhëtuar në skajet dhe periferitë e globit. Është me vend që ai të bëjë një udhëtim të fundit jashtë mureve të Vatikanit.
Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan ka filluar të mbushet me vajtues dhe kori po praktikon himnet që së shpejti do t’i këndojë botës.
Në turmë ka të rinj, një dëshmi e thirrjes së gjerë të Papa Françeskut.

Shërbimi do të nisë për pak më shumë se një orë.
Si fillim, do të vendoset një Libër i Ungjijve në arkivolin e Françeskut. Ungjijtë tregojnë jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit – diçka që Papa Françesku u përpoq ta ndiqte gjatë gjithë jetës së tij.
(BalkanWeb)
