TIRANE- Shkëlzen Hasanpapaj është 19-vjeçari i arrestuar nga policia holandeze për atentatin ndaj fisit Çapja në qershor të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur Florenc Capja dhe miku i tij, Bledar Muça si dhe një police kalimtare në qytetin e Elbasanit.

Gazetarja Dorjana Bezat bëri me dije për “BalkanWeb” se i riu u arrit të identifikohej falë kamerave të sigurisë që kishin regjistruar ngjarjen, por edhe falë shenjave të gishtave që kishte lënë në çantën sportive ku kishte fshehur armën e atentatit, e cila u gjet në lokalin nga ku qëlloi.

Hasanpapaj
Për të kishte një urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa arrestimi është bërë në bashkëpunim me shërbimet partnere. Policia ka mundur të dokumentojë autorësinë e tij në këtë ngjarje dhe pritet ta ekstradojë drejt Shqipërisë. Mësohet gjithashtu se Interpol Tirana e ka ndjekur atë në disa shtete, derisa u arrit të kapet në Holandë.

NGJARJA
Ai akuzohet të jetë përgjegjës për atentatin e 6 qershorit 2016-të ndaj Bledar Muçës, një emër ky i njohur për policinë dhe mikut të tij, Florenc Çapja, i dyshuar për disa ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit. Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, prokurorisë dhe gjykatës së këtij rrethi. I riu i arrestuar sot në Holandë ishte ulur në ambientet e jashtme të një lokali buzë rruge, kur ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës tip “Volkswagen Golf” me targë AA 997 NE, që drejtohej nga 37-vjeçari Bledar Muça.

Mësohet se nga breshëria e plumbave ka mbetur e plagosur aksidentalisht edhe një grua, kalimtare e rastit, 49-vjeçarja Matilda Kermezo, efektive e Policisë së Shtetit.

Ky ishte atentati i dytë që i bëhej 35-vjeçari Florenc Çapja dhe mikut të tij Muça. Të dy këta persona mbetën të plagosur edhe në masakrën e 3 shkurtit të këtij viti.

Video e mëposhtme i përket momentit të largimit të atentatorit pas ngjarjes

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb