Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me shkëmbimin e zjarrit që ndodhi më datë 22.02.2025, në Kamëz, ku objektiv i një sulmi të armatosur ishte 30-vjeçari Enedjon Kaçi. Policia ka arrestuar një 17-vjeçar, i cili dyshohet se drejtonte automjetin nga i cili u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së Kaçit.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se 17-vjeçari, i nxitur nga persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, ka dhënë deklaratë të rreme në përpjekje për të penguar hetimet. Për këtë arsye, ai është vënë në pranga nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz dhe akuzohet për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Ndërkohë, tre persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim nga policia. Dy 24-vjeçarët Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, si dhe 30-vjeçari Enedjon Kaçi, janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë të përfshirë në këtë atentat të dështuar.

Sipas hetimeve, atentati u regjistrua rreth orës 22:00 pranë rrethrrotullimit “Ulliri” në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz. Dy autorët e dyshuar, Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë tip “BMV X5” në drejtim të mjetit “Land Rover” me të cilin po lëvizte Enedjon Kaçi. Megjithatë, asnjë nga plumbat nuk e preku shënjestrën.

Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të qendrës së Kamzës dhe më pas braktisën automjetin në rrugën “Valeta”, duke u arratisur me një tjetër makinë tip “Golf” të bardhë. Nga ana tjetër, Enedjon Kaçi u largua në drejtim të Kodër Institutit, ku braktisi makinën e tij pranë një karburanti. Hetimet kanë konfirmuar se në krahun e majtë të mjetit të tij kishte dëmtime nga plumbat.

Policia po vijon hetimet për të kapur të gjithë të përfshirët dhe për të zbardhur tërësisht ngjarjen. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: