Sipas një drafti të qarkulluar në Ukrainë dhe të shqyrtuar nga Reuters, traktati i firmosur të mërkurën mes SHBA dhe Ukrainës tani i plotëson shumë nga kërkesat e Kievit dhe mund të bëhet gurthemeli i garancive të sigurisë që Ukraina po kërkon për të arritur një “paqe të drejtë”.

Pika kyçe është përdorimi i të ardhurave nga koncesionet dhe mineralet: fillimisht Uashingtoni donte që ato të përdoreshin për të rimbursuar vlerën e furnizimeve ushtarake të dhëna që nga viti 2022, të vlerësuara nga Shtëpia e Bardhë në treqind miliardë dollarë.

Një pjesë e të ardhurave, e përcaktuar në draft si pesëdhjetë përqind, pritet tani të shkojë në një fond të përbashkët SHBA-Ukrainë, ku pjesa e SHBA-së mund të rritet si pagesë për dërgesa shtesë të ndihmës ushtarake: një formulim që e zgjeron angazhimin përkrah Ukrainës në të ardhmen.

Prandaj, nuk është një garanci ushtarake për mbrojtjen e sigurisë, por i lidh të dy vendet ekonomikisht, si dhe i ofron Kievit burime për të financuar rindërtimin dhe për të forcuar mbrojtjen e tij. Në kohën e nënshkrimit, ukrainasit folën shprehimisht për “ndihmë të re, për shembull në sistemet kundërajrore”.

Të gjitha investimet e fondit duhet të mbeten në Ukrainë. Depozitat e njëzet mineraleve kritike përfshirë titanin për industrinë e avionëve; litiumi, mangani dhe grafiti për bateritë dhe motorët elektrikë, dhe së fundmi uraniumi  të gjitha kërkojnë operacione të kushtueshme për ta bërë nxjerrjen realitet.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara do të kenë refuzimin e parë për çdo lëshim të ri, duke marrë një furnizim jetësor për sistemin e tyre ekonomik. Kohëzgjatja do të jetë dhjetë vjet dhe klauzolat që mund të pengonin procedurën për hyrje në Bashkimin Evropian do të ishin eliminuar.

Ndryshe nga drafti ukrainas, njoftimi përfundimtar i paraqitur nga Bloomberg përfshin gjithashtu hidrokarburet dhe gazin: nuk përjashtohet që ato të kenë qenë pika e diskutueshme në fund, mbi të cilën Zelensky do të dorëzohej më vonë.

Aleatët e Kievit kanë kohë që i kanë vënë syrin pasurive minerale të vendit. Ukraina ka depozita të 22 nga 50 materialet e klasifikuara si kritike nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.

Këto përfshijnë minerale të rralla të tokës dhe materiale të tjera që janë kritike për prodhimin e elektronikës, teknologjive të energjisë së pastër dhe disa sistemeve të armëve.

Prodhimi global i mineraleve të rralla të tokës dhe materialeve të tjera me rëndësi strategjike është dominuar prej kohësh nga Kina, duke i lënë vendet perëndimore të dëshpëruara për burime të tjera alternative, përfshirë Ukrainën.

Një memorandum mirëkuptimi i përgatitur nën administratën Biden vitin e kaluar tha se SHBA-të do të promovonin mundësi investimi në projektet minerare të Ukrainës për kompanitë amerikane, në këmbim të krijimit të stimujve ekonomikë nga Kievi dhe zbatimit të praktikave të mira biznesi dhe mjedisore.

Ukraina tashmë ka një marrëveshje të ngjashme me Bashkimin Evropian, të nënshkruar në vitin 2021.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb