Rasti i vrasjes brutale të 21-vjeçarit Danilo Kuzmin, djali i nënkryetarit të bashkisë së Kharkivit, ka marrë tashmë një kthesë të qartë hetimore, duke zbuluar një skemë të mirëorganizuar grabitjeje dhe vrasjeje për motive financiare.

Hetimet e policisë austriake tregojnë se mbrëmjen e 25 nëntorit, Kuzmin kishte vizituar hotelin luksoz Sofitel, në qendër të Vjenës. Në parkingun nëntokësor të hotelit shpërtheu një konflikt i dhunshëm: një dëshmitar dëgjoi zhurma sherri, ndërsa policia gjeti njolla gjaku në shkallë. Pamjet e kamerave të sigurisë zbuluan se 21-vjeçari ndodhej aty në shoqërinë e një studenti ukrainas 19-vjeçar, bashkëmoshatar dhe i njohur i tij, të cilit i besonte plotësisht.

Sipas autoriteteve austriake dhe ukrainase, pikërisht ky i ri ishte personi që e futi Kuzmin në kurth. Viktima i kishte rrëfyer pa dashje se familja e tij zotëronte asete të konsiderueshme në kriptomonedha. Në bashkëpunim me një ukrainas 45-vjeçar, ai organizoi një plan për të përvetësuar këto fonde. Në garazhin nëntokësor të hotelit, Kuzmin u sulmua brutalisht. Ai u rrah rëndë dhe iu thyen pothuajse të gjithë dhëmbët, ndërsa autorët e torturuan për t’i nxjerrë fjalëkalimet e portofoleve të tij dixhitale. Nën dhunë ekstreme, 21-vjeçari u detyrua t’i zbulonte këto të dhëna, çka u mundësoi autorëve të zbraznin dy portofole kriptomonedhash.

Pasi morën atë që kërkonin, autorët e futën Kuzminin, tashmë gjysmë të vdekur, në sediljen e pasme të Mercedesit të familjes dhe e çuan në një zonë të izoluar në lagjen Donaustadt. Aty, sipas hetimeve, ata e spërkatën trupin e viktimës dhe pjesën e brendshme të makinës me benzinë – të blerë më herët nga 19-vjeçari, siç konfirmohet nga kamerat e sigurisë – dhe i vunë flakën automjetit, duke e djegur Kuzminin brenda. Pas krimit, të dy autorët u larguan me shpejtësi nga Austria. Provat tregojnë qartë motivin financiar: llogaritë e kriptomonedhave të viktimës u zbrazën menjëherë pas vrasjes. Shuma e saktë nuk është bërë zyrtarisht publike, por vlerësohet rreth 200 mijë dollarë. Hetuesit besojnë se kriptomonedhat u konvertuan shpejt në para të gatshme, pasi gjatë arrestimit të autorëve u gjetën sasi të mëdha kartëmonedhash dollarësh. Vetëm 19-vjeçarit iu sekuestruan rreth 90 mijë dollarë.

“Ne përjashtojmë çdo motiv politik. Të gjitha provat tregojnë qartë se bëhet fjalë për një krim me motiv financiar”, deklaroi koloneli Gerard Winkler, shefi i policisë së Vjenës, duke e cilësuar rastin si një nga skemat kriminale më të tmerrshme të viteve të fundit.

Arrestimet
Brenda 24 orëve nga zbulimi i krimit, autoritetet austriake identifikuan të dyshuarit kryesorë dhe aktivizuan Europolin dhe Interpolin. Dy burrat kishin kaluar kufirin drejt Ukrainës përmes Hungarisë në orët e para të 26 nëntorit. Më 29 nëntor, më pak se katër ditë pas vrasjes, ata u arrestuan në qytetin Odessa nga policia ukrainase, me pjesëmarrjen e njësisë speciale KORD. Arrestimi u krye pa rezistencë në zonën bregdetare “Trasa Zdorovia”. Gjykata ukrainase urdhëroi paraburgimin e tyre për 40 ditë. Meqë Ukraina nuk ekstradon shtetasit e saj, autoritetet ukrainase kanë kërkuar transferimin e dosjes nga Austria për ta gjykuar çështjen në vend. Prokuroria austriake ka pranuar të dorëzojë provat dhe të bashkëpunojë plotësisht.

Të dy të dyshuarit përballen me akuza për vrasje të qëllimshme të shoqëruar me grabitje dhe torturë, vepra që sipas ligjit ukrainas dënohen deri me burgim të përjetshëm. Mediat ukrainase kanë zbuluar se i dyshuari 19-vjeçar quhet Bogdan Rinzhuk, student në të njëjtin universitet me viktimën dhe djali i një biznesmeni të fuqishëm nga Chernivtsi. Ai është gjithashtu djali i adoptuar i ambasadores aktuale të Ukrainës në Bullgari, Olesya Ilashchuk. I dyshuari i dytë, Oleksandr Agoev, 45 vjeç, është ish-zyrtar i lartë doganor në Odessa dhe dyshohet se ka marrë pjesë aktive në rrahjen, transportimin dhe djegien e trupit të viktimës. Të dy kanë zgjedhur të heshtin pas arrestimit. Rasti ka ndezur reagime të forta në opinionin publik ukrainas, me thirrje për transparencë dhe drejtësi të plotë, pavarësisht lidhjeve të fuqishme familjare të të dyshuarve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb