ELBASAN- Zbardhen detaje nga plagosja me armë zjarri e 67-vjeçares Besihane Doçi sot në Elbasan. ‘BalkanWeb’ mëson se e moshuara dyshohet se ka mbetur e plagosur aksidentalisht ndërsa po kalonte në rrugicën e lagje ‘5 Maji’. Gazetari i “News24’ Fatmir Popja përcjell për ‘BalkanWeb’ se në kohën kur në rrugë po kalonte Doçi, disa persona po konfliktoheshin mes tyre.
Fill pas kësaj, banorët kanë dëgjuar të shtëna me armë dhe kanë parë të mbuluar me gjak gruan e moshuar. Fill pas kësaj, policia nisi hetimet, ndërsa bëhet e ditur se të paktën dy nga personat e përfshirë në konflikt janë larguar me shpejtësi në drejtime të ndryshme. Pavarësisht kësaj, forcat e policisë kanë identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes, ndërsa po punohet për kapjen e tij. Sakaq, në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja plumbi pistolete.
Policia ka shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit të paktën 15 persona që dyshohet se kanë parë personat që po konfliktoheshin ose që mund të kenë dijeni për shkaqet e sherrit mes tyre. Ndërkaq, e plagosura me armë zjarri do transportohet për një ndërhyrje të specializuar në QSUT.
NGJARJA
Besihane Doçi mbeti e plagosur mesditën e sotme në lagjen ‘5 maji’ në Elbasan në rrethana ende të paqarta. Fill pas ngjarjes, ajo u transportuar me urgjencë për në spitalin e Elbasanit, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. E moshuara Besihane Doçi është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa i janë dëmtuar organet jetësore. Pasi u njoftua për ngjarjen, policia mbërriti në vendi ku ndodhi plagosja, ndërsa bëri të mundur identifikimin e autorit. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se plagosja ka ndodhur pas një konflikti banal.
(ed.me/BalkanWeb)
