SARANDE- Tre ditë pasi tentuan të vidhnin bankomatin e një banke të nivelit të dytë në qytetin e Sarandës, zbulohen të tjera detaje për dy bullgarët, Aleksandros Doan, 46-vjeç dhe Mihaill Karaxhanov, 29-vjeç, të cilët u lanë në burg nga gjykata.

Ata të dy pranuan para sallës së gjyqit se nuk kishin qëllim të vidhnin bankomatin e bankës por të dhënat e kartave të klientëve për t’i përdorur më pas në tërheqje me karta të klonuara.

BalkanWeb mëson mënyrën që kishin përdorur dy grabitësit bullgarë për të çuar përpara misionin e tyre. Ata kishin hapur në bankomatin e bankës së nivelit të dytë vrima deri në 3 mm, brenda të cilave kishin si qëllim të montonin kamera të vogla që të filmonin kodet e kartave të klientëve.

BalkanWeb sqaron gjithashtu se bankomati ku u tentua vjedhja e të dhënave të kartave të qytetarëve, është vetmi bankomat që nuk ndodhet afër bankës. Ketë bankomat e kanë venë tek një biznes turistik në rrugen pranë portit të Sarandës meqë aty ka fluks të huajsh.

Nga hetimet rezulton se dy bullgarët po silleshin para bankomatit sikur të ishin klientë, duke mos u shqetësuar as nga prezenca e njerëzve në lokalet aty pranë apo nga kalimtarët, edhe pse të paktë në numër për shkak se ngjarja ndodhi rreth orës 06.00 të mëngjesit. Me vete mbanin një trapan.

Një polic, ka thënë për BalkanWeb, që nuk beson se bëhet fjalë për dy persona amatorë duke u nisur edhe nga veprimet e tyre.

Aleksandros Doan deklaroi në sallën e gjyqit se punonte në profesion të lirë, ndërsa Mihaill Karaxhanov vazhdonte ende studimet.
(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb