Në shtratin e lumit Devoll, pranë fshatit Sheqeras, po vijojnë punimet për rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara nga reshjet e dendura të ditëve të fundit.
Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, i pranishëm në zonën ku është shënuar edhe çarja e argjinaturës thotë se po punohet intensivisht për normalizimin e situatës. Sipas tij, janë angazhuar të gjithë 16 punonjësit e terrenit, si dhe janë vënë në funksion dy eskavatorë me krah të gjatë, një trailer transportues, si dhe strukturat vendore të Bashkisë Maliq dhe të Bordit të Ujitjes dhe Kullimit.
Jole theksoi se ndërhyrjet po shmangin përmbytjen e tokave bujqësore dhe po garantojnë siguri për banorët e fshatit Sheqeras, duke ulur rrezikun e një përmbytjeje të mundshme.
Ai bëri të ditur se pas përfundimit të këtyre punimeve, do të ndërhyhet edhe në kanalin C9 të kolektorit të Sovjanit. Përforcime në terren po ofrohen edhe nga forcat e Repartit Ushtarak 1033 në Drenovë.
Prej katër ditësh vendi është përfshirë nga mot i keq, i cili ka shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në zonat e prekura, duke detyruar shumë familje të evakuohen për shkak të hyrjes së ujit në banesat e tyre. Korça ka qenë një nga qarqet më të prekura.
